Lidhje

Parlamenti shqiptar miraton rezolutën mbi raportin e Komisionit Evropian - 2003-04-17


Pozita dhe opozita arritën të tejkalonin ndarjet që ekzistonin mes tyre, duke bërë të mundur përgatitjen e një teksti të përbashkët për qëndrimin rreth raportit të Komisionit Evropian. Rezoluta e miratuar sot pasdite nga Parlamenti njeh vërejtjet dhe kritikat e shprehura në këtë raport, dhe kërkon marrjen e një vargu masash për t’i dhënë zgjidhje problemeve të ngritura.

Në 10 pika, Parlamenti i kërkon qeverisë, institucioneve qendrore, dhe partive politike të angazhohen për përmbushjen e standarteve të kerkuara nga Bashkimi Evropian për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit. Kështu, qeveria duhet që brenda muajit qershor të detajojë hapat që do të ndërmerren për plotësimin e standarteve.

Gjithashtu, brenda një periudhe 3 mujore duhet të merren të gjitha masat administrative dhe nismat ligjvënëse për zgjidhje të përshpejtuara të çështjeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformës institucionale. Për këtë, qeveria duhet të mbështetet veçanërisht në propozimet e bëra nga opozita. Sipas rezolutës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të përqëndrohet kryesisht në sistemin gjyqësor, dogana dhe polici.

Parlamenti kerkon masa të shumta edhe për përmirësime në sektorin financiar, administratën publike, si dhe në sistemin e drejtësisë. Presidenti i Republikës ftohet të ndërmarrë nisma konkrete për reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, partive politike u bëhet thirrje që të kontribuojnë për përmirësimin dhe forcimin e frymës së dialogut, për të garantuar stabilitetin politik dhe për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi arritjen e konsensusit për rezolutën e sotme, si një arritje të parlamentit shqiptar:

"Ky është një ngadhnjim i parlamentarizmit, i kompromisit. Ata që punuan dje gjetën mençurisht mundësitë për të lënë mënjanë ata që mund të ndikonin negativisht dhe për të nxjerrë një dokument në interes të vendit dhe të shoqërisë. Me këtë vendim parlamenti dëshmoi se po nxjerr mësime dhe po bëhet vërtet institucioni qëndror i vendit", tha zoti Berisha.

Pas disa hapave të përbashkëta që u ndërmorrën vitin e kaluar, si pasojë e marrëveshjes pozitë-opozitë, rezoluta e sotme përbën një akt të rëndësishëm për jetën politike të vendit. // lk //

XS
SM
MD
LG