Lidhje

Zgjerohet ekipi amerikan për kërkimin e armëve në Irak - 2003-04-18


Pentagoni thotë se po dërgon në Irak një ekip të përbërë kryesisht nga inspektorë civilë të armëve, por shton se nuk mund t’i gjejë armët e ndaluara pa ndihmën e irakianëve.

Zyrtarët ushtarakë i thanë Zërit të Amerikës, se ekipi do të përfshijë rreth një mijë shkrencëtarë civilë, ekspertë të zbulimit dhe ish inspektorë të Kombeve të Bashkuara. Ekipi do të kryesohet nga një gjeneral, që pritet të emërohet.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha dje se kërkimi për armë të shkatërrimit në masë nuk është një gjueti thesari dhe se inspektorët nuk mund të vërtiten më kot nëpër Irak me shpresë që të gjejnë diçka pa u informuar nga irakianët se ku të shikojnë.

Trupat amerikane kanë gjetur kimikate dhe objekte të dyshimta në gjithë Irakun pas pushtimit të vendit muajin e kaluar, por analizat kanë dalë negative ose jo plotësisht bindëse për ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, i tha radios britanike dje se është shumë shpejt të nxirren përfundime, por ai tha se ka prirjen të besojë pretendimin e qeverisë të përmbysur irakiane se nuk ka patur armë të shkatërrimit në masë.

Ai tha gjithashtu se inspektorët e Kombeve të Bashkuara janë të nevojshëm në Irak, pasi ai beson se bota do të shikojë një raport të besueshëm, siç u shpreh ai, për gjithçka kanë getur trupat amerikane dhe britanike.//ic//

XS
SM
MD
LG