Lidhje

Ish-Ministri i Financave i Irakut në duart e amerikanëve - 2003-04-18


Ministri i Financave i ish-regjimit të Sadam Huseinit u kap nga policia irakiane dhe iu dorëzua marinsave amerikanë. Ai është anëtari i pestë i regjimi irakian që kapet që nga rënia e Bagdadit në duart e forcave të koalicionit.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se ish ministri irakian i Financave, Hikmet Ibrahim al-Azaui, u kap nga forcat policore irakiane në Bagdad dhe iu dorëzua forcave ushtarake amerikane.

Në vitin 1999, ish-ministri i Financave ishte emëruar në postin e zëvendësministrit për t’u përqendruar në përpjekjet për të ringjallur ekonominë e vendit, e cila ishte goditur rëndë nga zbatimi gjatë një periudhe 10 vjeçare i sanksioneve ekonomike të Kombeve të Bashkuara.

Emri i zotit al-Azaui përfshihet në listën e qeverisë amerikane të 55 anëtarëve më të kërkuar të rrethit të ngushtë të Sadam Huseinit.

Zyrtarët presin që ai të japë informacion të rëndësishëm rreth veprimtarisë së regjimit të Sadam Huseinit dhe se ku mund të jetë fshehur një pjesë e madhe e pasurisë së vendit.

Në duart e forcave amerikane ndodhen edhe dy vëllezër të Sadam Huseinit nga nëna. Njëri ka shërbyer si këshilltar shkencor, kurse tjetri, politikani 70 vjeçar që u kap nga kurdët në qytetin verior irakian të Mosulit, shërbente në postin e udhëheqësit të Partisë Bath të Sadam Huseinit për Bagdadin.

Mirëpo, pyetja që shtrohet më shpesh nga irakianët në Bagdad, është se ku ndodhen Sadam Huseini dhe dy djemtë e tij. Shumë shprehin hamendjen se Sadam Huseini, sikur bashkëpunëtorët e tij që janë kapur deri tani, mund të jetë i fshehur në Bagdad ose në ndonjë qytet tjetër irakian. Të tjerë thonë se ai ka ikur nga vendi. Një numër i vigël mendon se ai është vrarë në luftime.

Ndërkohë, autokolona e parë e madhe me ndihma ushqimore është në plan të mbërrijë të shtunën në Bagdad. Autokolona e organizuar nga Kombet e Bashkuara, e cila po udhëton në drejtim të lindjes nga Jordania, po sjell miell që do të magazinohet derisa autoritetet të planifikojnë shpërndarjen e tij.

Ndihma të tjera do të dërgohen së shpejti nga Iraku jugor, ku forcat ushtarake britanike thonë se kanë hapur një linjë hekurudhore midis Basrës dhe portit Um Kasër.

Lajmet nga gjithë vendi bëjnë të ditur se siguria po kthehet dhe shërbimet komunale po rifillojnë pas disa ditë plaçkitjeje dhe kaosi.

Komanda Qendrore amerikane tha se marinsat amerikanë që punojnë me irakianë dhe grupe ndërkombëtare të ndihmave, kanë arritur të rifillojnë furnizimin me ujë, shërbimet policore, të zjarrfiksave dhe ato shëndetësore në qytetin Nasirija, skenë e luftimeve të ashpra gjatë operacioneve ushtarake.

Mirëpo, pjesa më e madhe e Bagdadit vazhdon të jetë pa elektricitet. Njoftimet nga kryeqyteti irakiani thonë se të shtunën në qytet mbretëroi një qetësi relative. Mirëpo, për të dytën ditë me radhë, në Bagdad u organizuan demonstrata, në të cilat pjesëmarrësit kërkonin tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.//kk//

XS
SM
MD
LG