Lidhje

Korea e Veriut njofton ripërpunimin e karburantit bërthamor - 2003-04-18


Koreja e Veriut njoftoi se po ripërpunon me sukses sasi të mëdha karburani në centralin e saj kryesor bërthamor, hap ky që sipas ekspertëve mund të çojë në sigurimin e një sasie të mjaftueshme uraniumi për disa bomba atomike.

Agjencia koreanoveriore e lajmeve e bëri këtë njoftim sot, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të interesuara janë njoftuar për këtë proces. Zyrtarë në Uashington, Seul dhe Tokio reaguan duke thënë se qeveritë e tyre nuk e kishin marrë një njoftim të tillë. Megjithë këtë zhvillim, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u tha gazetarëve se nuk ka plane për të anuluar një takim të planifikuar për javën tjetër në Pekin midis Shteteve të Bashkuara, Koresë së Veriut dhe Kinës.

Shërbimi amerikan i zbulimit po e vëzhgon nga afër kompleksin e reaktorit bërthamor në Yongbyon në afërsi të kryeqytetit koreanoverior. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se nuk ka shenja se Koreja e Veriut ka filluar ripërpunimin e karburantit bërthamor, megjithë prendimet e sotme nga Ministria e Jashtme koreanoveriore se një operacion i tillë kishte filluar me sukses.

Karburanti i shfrytëzuar përmban sasi të mjaftueshme uraniumi sa për të ndërtuar disa armë bërthamore dhe se ky kërcënim i mundshëm do të jetë çështje kyçe në bisedimet tripalëshe që pritet të hapen javën tjetër në Pekin.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se ai nuk ishte i vetëdijshëm për ndonjë ndryshim në planet e udhëtimit të Ndihmës-sekretarit të Jashtëm, James Kelly, i cili do të kryesojë delegacionin amerikan në Pekin.

Zoti Kelly po përgatitet për këtë mision duke zhvilluar bisedime me zyrtarë nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të dyja këto vende të marrin pjesë në të gjitha bisedimet që do të zhvillohen me Korenë e Veriut pas takimit të Pekinit. Synimi i bisedimeve është që t’i jepet fund programit bërthamor të Phenianit.

//rd//

XS
SM
MD
LG