Lidhje

Thaçi: Moratoriumi hap shtegun për integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar - 2003-04-18


Debati politik i kohëve të fundit në Kosovë ka në qendër të tij një lëvizje të papritur nga një burim i paparashikuar: Hashim Thaçi, ish udhëheqës i UCK-së, tani kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje për një moratorium të diskutimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Në emisionin Ditari të datës 18 prill, Zëri i Amerikës zhvilloi këtë intervistë me zotin Thaçi

Zoti Thaçi, para se të fillojmë me pyetjet lidhur me propozimin tuaj, a mund t’ju pyes se si keni reaguar ndaj vendimit të zotit Shtainer, që e shpall Armatën Kombëtare Shqiptare si grup terrorist?

Hashim Thaçi: Qëndrimet e të gjitha partive dhe të institucioneve të Kosovës tanimë janë të njohura botërisht. Për ne, janë të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha aktet e dhunës që ndodhin në Kosovë.

Zoti Thaçi, propozimi juaj për një moratorium është pritur me reagime nga më të ndryshmet. Disa, kryesisht nga rradhët e komunitetit ndërkombëtar, e shohin këtë si një ide të re dhe të guximshme. Ndërsa të tjerë, sidomos në Kosovë, e shohin atë si një hap prapa që mund të minojë pozitat e shqiptarëve. A është interpretuar drejtë propozimi i juaj dhe a mund të na shpjegoni shkurtimisht se çfarë keni dashur të thoni përmes këtij propozimi?

Hashim Thaçi: Fillimisht, ideja për afatizimin e zgjidhjes së çështjes së statusit politik të Kosovës, është bazuar në realitetin ekzistues në Kosovë. Është ide origjinale e imja, për arsye se instuitucionet e Kosovës, sot janë para tre dilemave, mendoj, mjaft të rëndësishme.

E para është që ne të prodhojmë dokumente valide institucionale lidhur me pavarësinë e Kosovës, dhe këto dokumente t’ua dërgojmë për njohje faktorëve përcaktues ndërkombëtar, si Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Apo të shpallim moratorium, po qe se vlerësojmë se nuk janë krijuar kushtet për opsionin e parë për njohjen e pavarësisë. Kjo, sepse institucionet e Kosovës, Parlamenti dhe Qeveria, megjithëse kërkohet njohja formale e pavarësisë, ende nuk u kanë dorëzuar asnjë dokument as Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as OKB-së dhe Bashkimin Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Prandaj, një gjë të tillë institucionet e Kosovës do të duhej ta bënin. E treta është që të mos e tolerojmë, fatkeqësisht siç po e bëjmë sot, zhvillimin e proceseve integruese në Unionin Serbi-Mali i Zi, ose dezintegrimin territorial dhe institucional të Kosovës.

Të gjithë e dinë se si Unioni Serbi-Mali i Zi është pranuar në Këshillin e Evropës, ku Kosova për fat të keq figuron si pjesë de jure e Serbisë. Prandaj, ideja ime është që të vazhdojmë me angazhimet tona më konkrete, dhe moratoriumi instalon mekanizmin e afatit me garancione ndërkombëtare për njohjen e së drejtës së popullit të Kosovës për vetvendosje, e cila tash për tash nuk ekziston në asnjë dokument ndërkombëtar. Pastaj, krijon parakushte për një angazhim më të fuqishëm të të gjithë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm në ndërtimin e standardeve si parakush për përcaktimin e statusit të Kosovës.

Ky projekt nuk nënkupton sfidim të standardeve politike, ekonomike dhe legjislative perëndimore. Përkundrazi fuçizon institucionet e Kosovës në realizimin e këtyre standardeve me statusin, dhe anasjelltas, sepse ne me standarde do të merremi edhe tash përpara statusit, edhe gjatë zgjidhjes së statusit por edhe pas zgjidhjes së statusit politik.

Gjithashtu, moratoriumi hap shtegun për integrimin e Kosovës në institucionet veriatlantike dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar, si Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Organizatën Botërore e Tregtisë, e të tjera. Gjithashtu, ne të gjithë duhet ta kuptojmë që bota e njeh pavarësinë jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, dhe kur të gjithë t’i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta. Prandaj, parandalon konfrontimin institucional shqiptar me atë minoritar serb. Në shoqëri dhe institucionet vendore, krijohen parakushte të domosdoshme për zgjidhje e statusit përfundimtar të Kosovës.

Gjithashtu ai parandalon përpjekjet e faktorëve të tjerë që janë kundër integrimit të institucioneve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar. Kështu që, aktualisht siç është duke u zhvilluar procesi, ku mungojnë afatet kohore për zgjidhjen e statusit final, duam ne apo jo, çështja e Kosovës, po tajvanizohet, po qiprizohet, po merr trajta të çështjeve të tjera të pazgjidhshme. Prandaj propozimi, projekti im, që sot është bërë edhe projekt i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e bllokon zgjidhjen e çështjes së statusit por e afatizon atë me garanci ndërkombëtare, brenda këtij mandati qeverisës të koalicionit Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës duke i integruar edhe minoritarët.

Zoti Thaçi a keni ndonjë ide se a mund të jetë ky propozim i pranueshëm për Beogradin dhe fuqitë kryesore që merren me çështjen e Kosovës?

Hashim Thaçi: Mua, më vjen mirë që pas periudhës katërvjeçare të tranzicionit, në këtë projekt kemi mbështetjen e plotë të mekanizmave ndërkombëtar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë shprehur mirëkuptim, mbështetjen e plotë të OKB-së, mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, që u konfirmua nga pjesmarrja në takim me mua e vet ambasadorëve të vendeve anëtare, gjithashtu edhe mbështetjen e plotë nga OSBE-ja që gjithashtu sot është konfirmuar. Prandaj, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mirëkuptim të komunitetit ndërkombëtar për afatizimin e zgjidhjes së çështjes së statusit. Mirëpo, për çështjen e Kosovës, vendosin kosovarët dhe ndërkombëtarët dhe jo Beogradi.

Zoti Thaçi, edhe nëse arrini të siguroni mbështetje ndërkombëtare, nëse nuk arrini që të siguroni edhe mbështetjen e forcave të tjera politike shqiptare, nuk ka të ngjarë që ky propozim i juaj të pranohet. Me sa e kuptoj unë, gjithmonë ka ekzistuar një marrëveshje e pashkruar midis forcave kryesore politike se për çështjet thelbësore siç është ajo e statusit përfundimtar, këto forca duhet të bashkërendojnë qëndrime e tyre. Kritikët ju akuzojnë se nuk jeni këshilluar me partitë e tjera kryesore politike përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, para se të shpallni publikisht propozimin tuaj. Madje, disa thonë se ju po përpiqeni që të fitoni kapital politik me një propozim të tillë. Si ju përgjigjeni ju këtyre akuzave dhe kritikave?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të sqarojë se ky projekt nuk është hedhur në opinion, në institucionet e Kosovës dhe ato të faktorit ndërkombëtar për elektorat, por është hedhur për të mirë të vendit. Është hedhur për të thyer këtë statu-kuo të mërzitshme dhe të lodhshme për shoqërinë dhe institucione e Kosovës. Ne duhet të ndërtojmë një Kosovë që njerëzit e kanë lakmi të jetojnë në të e jo ta braktisin atë.

Ne e dijmë se çfarë varfërie dhe çfarë krize ekonomike kemi tani. Kemi Kosovën në terr. Kemi një numër të madh të njerëzve që janë të papunë. Ne e dimë se çfarë kompetenca kanë institucionet e Kosovës, ku sot UNMIK-u nuk lejon që qeveria e Kosovës t’i shfrytëzojë as ato të drejta të garantuara me Kornizën Kushtetuese. Prandaj, ato të drejta, ato kompeteca duhet të barten menjëherë, jo të diskutohen. Pastaj edhe të drejtat e rezervuara për zotin Steiner nuk duhet të jenë tema tabu për kosovarët. Ne duhet të kemi qasje të drejtëpërdrejtë në politikë të jashtme, në siguri, në buxhet, në organet e drejtësisë. Prandaj, ne duhet ta dinamizojmë procesin. Ne duhet ta afatizojmë procesin e zgjidhjes së statusit politik. Prandaj, këto priorite, këto angazhime, nuk janë vetëm të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, vetëm të PDK-së.

Sot ka përfunduar cikli i parë i takimeve dhe bisedimeve me komunitetin ndërkombëtar prej të cilëve kemi marrë mbështetje të plotë. Javën e ardhshme do të filloi cikli i dytë i konsultimeve me partitë politike, me institucionet e Kosovës, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, me personalitetet publike, sepse jam i bindur që të gjithë janë të pakënaqur me situatën aktuale që kemi. Të gjithë janë për ndryshime dhe besoj se kësaj qasje për ndryshime, për lëvizje më të shpejtë për afatizimin e zgjidhjes së çështjes së statusit politik, për afatizimin e implementimit të prioriteteve t’i bashkangjiten edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe rivalët politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mirëpo, edhe bartësitë e institucioneve të Kosovës, duhet të reflektojnë përgjegjësi institucionale, të dalin nga kornizat partiake dhe të sillen në përputhshmëri me interesa e vendit dhe të qytetarëve.

Kjo ide, nuk është hedhur kundër askujt, por është hedhur për të mirë të vendit, të popullit, dhe jam i sigurtë se të gjithë do ta kuptojnë drejtë dhe do të kemi konkluzione të përbashkëta, konkluzione të cilat do të institucionalizohen dhe do t’i prezentohen botës, Shteteve të Bashkuara, OKB-së, dhe Bashkimit Evropian si projekte të institucioneve të Kosovës. Thjeshtë, bota ka nevojë të ketë dokumente zyrtare për çështjen e Kosovës nga institucionet e Kosovës.

//rd//

XS
SM
MD
LG