Lidhje

Vendet fqinjë të Irakut bëjnë thirrje për tërheqjen e trupave nga ky vend - 2003-04-19


Vendet fqinje të Irakut u bënë thirrje forcave amerikane dhe britanike që të tërhiqen nga ai vend sa më parë që të jetë e mundur.

Ministrat e jashtëm të Iranit, Jordanisë, Kuvajtit, Arabisë Saudite, Sirisë dhe Turqisë, si edhe Egjiptit e Bahreinit, i cili aktualisht mban kryesinë e radhës së Lidhjes Arabe, thonë se në bazë të së drejtës ndërkombëtare, forcat e koalicionit kanë përgjegjësinë të ruajnë sigurinë dhe qendrueshmërinë në Irak.

Ministrat thanë në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të shtunën se trupat e huaja duhet më pas të tërhiqen dhe ta lanë drejtimin e vendit në dorë të irakianëve, përfshirë marrjen e vendimeve sesi të përdorin pasuritë e tyre natyrore.

Ministrat e jashtëm, të cilët mbajtën të premten një takim të jashtëzakonshëm në Riad, thanë se aktualisht ata janë kundër heqjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara të vendosura ndaj Irakut, sipas të cilave kufizohet shitja e naftës, derisa në Bagdad të vendost një qeveri e ligjshme.

Uashingtoni kërkon heqjen e sanksioneve sa më shpejt, në mënyrë që të ardhurat nga shitja e naftës të përdoren për rindërtimin e vendit. Ministrat u bënë thirrje edhe Kombeve të Bashkuara që të luajnë rol qendror në Irakun e pas luftës, diçka që Uashingtoni ngurron ta lejojë.

Ministrat e jashtëm dënuan akuzat amerikane të kohëve të fundit se Siria po strehon anëtarë të ish regjimit irakian dhe se po zhvillon armë kimike.//kk//

XS
SM
MD
LG