Lidhje

E ardhmja e demokracisë në Lindjen e Mesme, pas rënies së Saddam Husseinit - 2003-04-19


Pas rënies së Sadam Huseinit, ekspertët në Lindjen e Mesme kanë filluar të vrasin mendjen rreth të ardhmes së demokracisë në rajon.

Në një artikull të botuar në gazetën kombëtare të Arabisë Saudite, autori teorizon se shumica e popullësisë nuk i shikon Shtetet e Bashkuara si agresorë pasi në Lindjen e Mesme nuk pati demonstrata anti-amerikane në shkallë të gjerë kur forcat e koalicionit hynë në Bagdad.

Në artikull arrihet përfundimi se, duke u mbështetur në mendimin se Shtetet e Bashkuara ende nuk shikohen si forcë e padëshiruar, shumica në Lindjen e Mesme do ta pranojë demokracinë në Irak nëse forcat e koalicionit vendosin menjëherë rendin dhe paqen.

Mirëpo, rektori i Universitetit Amerikan në Kuvajt, Shefik Ghabra, nuk është aq i sigurt rreth përspektivave të demokracisë në Irak.

“Është vështirë të thuhet. Njerëzit përdorin shprehje të tilla si stil perëndimor apo stil lindor. Demokraci e stilit japonez, lindor apo perëndimor. A është Japonia lindore apo perëndimore? Nuk mendoj, thotë profesor Gabra, se ka stil perëndimor apo lindor demokracie. Ndryshime po bëhen në Evropën Lindore, Azi e Amerikën Latine. Atëherë pse jo në Irak? Pas vuajtjeve të luftës dhe shtypjes, përse mos të ketë një kryeministër që mund të zëvendësohet me anë të votës dhe jo me anë të plumbave e të zjarrit?”, thotë ai.

Një akademik tjetër, i shkolluar në Perëndim, thotë se lufta në Irak është një moment vendimtar në historinë e botës arabe. Ai shpjegon se pas Luftës së Parë Botërore, kur rënia e Perandorisë Otomane solli lirinë për arabët, filozofët në vendet arabe filluan të përqafonin të menduarit e pavarur dhe arabët filluan të vishnin edhe rroba të stilit perëndimor.

Kjo gjendje ndryshoi pas Luftës së Dytë Botërore. Pas shumë luftrash me Izraelin, arabët hoqën dorë nga rrobat e stilit perëndimor dhe iu kthyen shkollave tradicionale të mendimit dhe të veshjes.

Ai mendon se sikur Shtetet e Bashkuara të jenë të suksesshme në përpjekjet për themelimin e demokracisë në Irak, të rinjtë në Lindjen e Mesme do të veshin rroba të stilit perëndimor dhe do të këndojnë këngë amerikane të muzikës pop. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë të suksesshme, ai shpreh shqetësimin se arabët mund të kthehen përsëri tek sistemet e tyre tradicionale.

Një ekspert sirian i shkencave politike thotë se historia dhe mjedisi gjeografik i popujve arabë nuk lënë të kuptohet se ata do të jenë kandidatë për demokraci të stilit perëndimor. Ai thekson se popujt arabë janë të shpërndarë në një hapësirë të gjerë dhe kanë shumë degë të ndryshme botëkuptimi.

Përveç kësaj, ai shton se popujt arabë kanë përjetuar një histori të gjatë dhune e tiranie. Të gjithë këta faktorë i bën ata ta shikojnë demokracinë me mosbesim.

Tani shtrohet pyetja se çfarë faktorësh nevojiten për ta ndihmuar Irakun të kalojë në demokraci. Profesor Gabra paralajmëron se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen shumë të kujdesshme në dy drejtime, ta mbrojnë Irakun dhe të mos e lejojnë atë të kërcënojë apo të pushtojë vende të tjera. “Është nevoja të mbrohet pasi atje nuk do të ketë ushtri të aftë irakiane për ta mbrojtur atë. Atje është një fushë e hapur për sirianët dhe për të tjerë që të hyjnë në punët e brendshme politike të Irakut. Le të marrin si shmebull Libanin, ku lufta civile vazhdoi për 16 vjet, ku thuajse të gjitha vendet arabe gjetën rrugën për të luajtur një farë roili në politikën libaneze dhe vetë libanezët humbën plotësisht kontrollin mbi jetën dhe politkat e tyre. Prandaj është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara ta mbrojnë Irakun nga një batak i tillë”, thekson profesor Garba.

Sipas profesor Gabras, mundësitë për përparim në Irak janë shumë të mëdha. Sikur investimet e mëdha të bëra në armatim nga regjimi i Sadam Huseinit të ishin shfrytëzuar për arsim, zhvillim dhe modernizim, thotë zoti Grabra, irakianët do të kishin qenë në një pozitë shumë më të mirë.

Ata do të luanin rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Tani, forcat duhet të përqendrohen në kalimin e Irakut nga militarizmi tek ndërtimi i themeleve të paqes. Me populliun, kulturën dhe larminë e tij, Iraku ka themelet të shëndosha për të qenë një vend i fortë.

Sundimi i Sadam Huseinit ka marrë fund. Opozita po organizohet. Shtetet e Bashkuara dhe Britania shpresojnë se demokracia do të lëshojë rrënjë menjëherë në Irak.//kk//

XS
SM
MD
LG