Lidhje

Amerikanët e vrarë në luftime - 2003-04-21


Fatkeqësia më e madhe që mund t’i bjerë një pjesëtari të forcave të armatosura, është futja e tij në listën e të humburve në aksion. Amerikanët e vrarë në aksion vdesin me bindjen se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për gjetjen e trupave të tyre, për t’i varrosur siç duhet, që familjet e tyre do t’i vënë në dijeni për vdekjen e tyre dhe që sakrifica e tyre do të kujtohet nga populli mirënjohës amerikan. Robërit amerikanë të luftës e kanë ditur se bashkatdhetarët e tyre nuk do të qetësoheshin asnjëherë derisa t’i lironin ata. Por fati i amerikanëve të humbur në luftë u vë disa detyrime të veçanta Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ligjërisht dhe moralisht të japin shpjegime për çdo amerikan që vazhdon të figurojë në listën e personave të humbur në aksion gjatë konflikteve të armatosura. Në se është e mundur, eshtrat e personave të humbur në aksion, vdekja e të cilëve është konfirmuar, duhen gjetur dhe varrosur siç duhet. Përsa kohë ekziston mundësia që anëtarë të forcave amerikane, të cilëve nuk u dihet fati, të jenë akoma gjallë, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i gjetur ata dhe për t’i sjellë në atdhe.

Për këtë arsye Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi në vitin 2000 Ligjin T’i Sjellim Ata në Atdhe të Gjallë. Më se 8 mijë amerikanë vazhdojnë të figurojnë ende të humbur që nga Lufta Koreane dhe thuajse 2 mijë vetave nuk u dihet fati që nga Lufta e Vietnamit. Në bazë të ligjit i jepet strehim çdo të huaji, që është shtetas i Vietnamit, Kamboxhias, Kinës, Koresë së Veriut, apo i shteteve të pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik, që i dorëzon personalisht qeverisë amerikane një pjesëtar të forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara, i cili figuron në listën e personave të humbur në aksion, qoftë nga Lufta e Koresë ose e Vietnamit. Ligji po ashtu u garanton strehim politik familjeve të atyre që ndihmojnë pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane të marrin kontakt me autoritete të Shteteve të Bashkuara.

Që nga përfunimi i luftës në Vietnam më 1975 ka pasur njoftime se janë parë pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane, të cilët mbahen në disa vende të Azisë juglindore. Por deri tani njoftime të tilla nuk janë konfirmuar.

Cilido që ka të dhëna lidhur me amerikanë, të cilët figurojnë si të humbur në aksion, duhet të kontaktojë autoritetet amerikane.

XS
SM
MD
LG