Lidhje

KOSOVA: KFOR: “Grupe të vogla vazhdojnë të rrezikojnë zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës” - 2003-04-22


Zyrtarët e KFOR-it thanë se grupe të vogla vazhdojnë të paraqesin rrezik për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës. Ata i bënë këto komente duke i shprehur përkrahjen e plotë shefit të UNMIK-ut Michael Steiner, i cili javën e kaluar me një vendim të posaçëm, e cilësoi Armatën Kombëtare Shqiptare, si organizatë terroriste. Korrespondenti ynë në Prishtinë Besim Abazi njofton se tani për tani nuk ka pasur arrestime të anëtarëve të kësaj organizate, prania e së cilës sipas UNMIK-ut dhe KFOR-it, tashmë është dëshmuar.

Forcat paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, ritheksuan përkrahjen e tyre ndaj vendimit të shefit të UNMIK-ut Michael Steiner, për të shpallur Armatën Kombëtare Shqiptare, si organizatë terroriste. Zëdhënësi i këtyre forcave, Gary Bannister Green tha se KFOR-i do të jetë i përqëndruar në operacionet e zbulimit të kërcënimeve kriminale apo ekstremiste për sigurinë në Kosovë. Ai tha se “grupe të vogla vazhdojnë të paraqesin rrezik për zhvillimin demokratik e ekonomik të Kosovës”. Ndonëse nuk e kanë përkrahjen e popullatës, theksoi ai, këto grupe të dhunshme mendojnë se mund të arrijnë diçka nëpërmjet kërcënimeve duke ju shmangur sundimit të ligjit.

Zyrtarët e KFOR-it dhe UNMIK-ut thanë se tashmë ekzistojnë prova bindëse për praninë e Armatës Kombëtare Shqiptare, ndonëse mohuan të ketë të arrestuar në ndërlidhje me këtë grup. Simon Haselock, zëdhënës i Misionit të Kombeve të Bashkuara tha se deri tash UNMIK-u ishte i kujdesshëm në prononcimet e tij rreth Armatës Kombëtare Shqiptare, meqë kishte shumë pak prova, përveç një faqeje interneti ku publikoheshin veprimet dhe synimet e saj. Por gjërat tha ai, ndryshuan javën që shkoi. “Kjo organizatë bëri një sulm terrorist, që është i natyrës terroriste më shumë sesa kriminale dhe për të morri përgjegjësinë, ndërsa informacionet dëshmuan se këta njerëz i takojnë asaj organziate” tha zoti Haselock. Kjo, tha ai nuk do të thotë që ajo është organizatë e madhe, me stërvitje të veçantë, mirëpo ajo ka ndërmarrë veprime të armatosura.

Të enjten e kaluar shefi i UNMIK-ut Michael Steiner, e cilësoi Armatën Kombëtare Shqiptare si organizatë terroriste, pesë ditë pas një shpërthimi në hekurudhën që lidhë Kosovën me Serbinë në afërsi të komunës veriore të Zvecanit të banuar me shumicë serbe. Ky shpërthim u mor përsipër nga Armata Kombëtare Shqiptare e cila pohoi se në këtë aksion ka humbur dy pjestarë të saj. Shpërthimi u dënua fuqishëm nga UNMIK-u dhe forcat paqëruajtëse, ndërsa dënimeve ju bashkuan edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. //ss//

XS
SM
MD
LG