Lidhje

Kush e rrezikon të ardhmen e Irakut? - 2003-04-22


Një grup studiuesish nga vendet arabe diskutuan në një takim që u zhvillua në Universitetin e Kuvajtit mbi të ardhmen e Irakut të pas luftës. Shumica e tyre mendojnë se e ardhmja e Irakut mund të jetë vetëm pozitive. Megjithatë, të premten e kaluar, pas ritualit të lutjeve në xhamitë kryesore të Bagdadit, dhjetra mijëra muslimanë vërshuan nëpër rrugët e qytetit dhe zhvilluan demonstratën më të madhe anti-amerikane që nga dita kur Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e qytetit.

Doktor Ali Tarah i Departamentit të Politikave Ndërkombëtare, pranë Univeritetit të Kuvajtit, foli në lidhje me protestën e ditës së premte dhe domethënien e saj për Irakun.

"Një nga organizatorët e protestës ishte Akhmad Kobasi, i cili jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjatë ditëve kur Saddam Husseini ishte në pushtet, ai shkonte vazhdimisht në Irak. Është e qartë, se protesta e së premtes nuk kishte ngjyra fetare, por ajo ishte politike dhe u organizua nga vendet fqinje. Protesta është në fakt një mesazh politik, për faktin se Kobasi është njeri i Saddam Husseinit dhe ai është anëtar i partisë Baath. Vetëm pak para fillimit të luftës, ai shkroi një artikull, ku akuzonte forcat aleate në luftën e Irakut. Në artikull përkrahej Saddam Husseini, prandaj edhe protesta e së premtes duhet parë nga ky këndvështrim," tha Doktor Tarah.

Studiuesit në takim ishin të mendimit se Iraku do të vazhdojë të zhvillohet nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe se ndryshimet në Irak do të sjellin ristrukturimin e aleancave në Lindjen e Mesme. Një studiues nga Egjipti tha se rënia e Saddam Husseinit, jo vetëm që do t’i sjellë lirinë popullit irakian, por do të sjellë edhe ndryshime politike në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu tha se forcat amerikane dhe ato britanike e shkatërruan makinën irakiane të luftës në një periudhë kaq të shkurtër dhe pa shumë viktima, prandaj populli irakian ka besim tek ata. Pikërisht mbi këtë besim të krijuar, shoqëria ndërkombëtare do të jetë e aftë të ndërtojë demokracinë në Irak.

Doktor Tarah tha në takim se rreziku më i madh për krjimin e një shoqërie të lirë e të barabartë në Irak, vjen nga qarqet konsevatore, vendet autokratike dhe jo nga ndikimi i mbetur i Saddamit.

"Rreziku më i madh për demokracinë në Irak janë vendet fqinje: Emirated e Bashkuara Arabe, Turqia, Siria, të gjithë ata, të cilët e vështirësojnë punën për aleatët, për suksesin e forcave amerikane në Irak. Kjo do të thotë se Iraku vetë po i kapërcen problemet e veta, por vendet fqinje përbëjnë një problem kryesor për demokracinë në Irak," thotë Doktor Tarah.

Ai mendon se në se populli irakian kërkon t’i kundërvihet ndikimeve negative të vendeve të tjera, këtë ai duhet ta bëjë duke krijuar agjencitë e veta të kundërzbulimit.

Një profesor i Universitetit të Kuvajtit, i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri, thotë se fuqitë kryesore të botës dhe organizatat botërore do të luajnë një rol kryesor në të ardhmen e Irakut.

Këto fuqi dhe organizata botërore do ta vështirësojnë praninë e armëve të shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme, apo në rajone të tjera të paqëndrueshme të botës. Profesori mendon se vendet e fuqishme dhe organizatat me shtrirje botërore mund tua bëjnë të qartë vendeve të papërgjegjshme se ato i presin ndryshime të ngjashme si në Irak.

Duke u nisur nga fakti që Kuvajti e mbështeti me gjithë zemër çlirimin e Irakut nga forcat e koalicionit, ky profesor parashikon se Iraku i pas luftës do të ketë lidhje të ngushta me Kuvajtin. Ai mendon se edhe vendet fqinje, të cilat e kundërshtonin me forcë luftën, duhet të vendosin marrëdhënie miqësore me Irakun.//ii

XS
SM
MD
LG