Lidhje

Tirana mbështet tërësinë territoriale të Maqedonisë - 2003-04-22


Autoritetet shtetërore dhe përfaqësuesit politikë në Shqipëri po shprehin një shqetësim të vecantë ndaj disa deklarimeve të ditëve të fundit të drejtuesve partiakë shqiptarë dhe maqedonas, të cilat nuk mbështesin ekzistencën e një shteti multietnik të Maqedonisë. Ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta deklaroi sot se rajoni i Ballkanit nuk ka nevojë për një Bosnje të dytë, ndërsa sekretari për marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike Besnik Mustafaj tha se partia e tij është kundër cënimit të integriteit territorial të Maqedonisë.

Pështjellimi që kanë krijuar deklarimet e njërës prej figurave të njohura të politikës shqiptare në Maqedoni, Arbër Xhaferri, të pasuara dhe nga ato të ish kryeministrit Georgevski, për pamundësinë e ekzistencës së një shteti multietnik apo krijimin e shteteve të pastra etnikisht, nuk kanë gjetur asnjë përkrahje, as nga qeveria e Tiranës as nga partitë këtu. Përkundrazi ato kanë ngjallur shqetësim për pasojat që mund të sjellin.

Sot Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, deklaroi se këto deklarata janë në kundërshtim me vetë frymën e zhvillimeve në rajon:

"Mendoj se rajoni ynë nuk ka më nevojë për përsëritjen e ngjarjeve të dhunshme të së kaluarës dhe aq më shumë nuk ka nevojë as për një Bosnje të dytë. Çelësi i suksesit të integrimit europian të rajonit tonë është pikërisht integrimi rajonal, që bazohet në bashkëjetesën ndërmjet kombeve dhe kombësive të ndryshme, që bazohet gjithashtu në zhvleftësimin e përditshëm të kufijve dhe jo në krijimin dhe vendosjen e mureve dhe të kufinjve të rinj, aq më tepër të pastër etnikisht", deklaroi zoti Meta.

Ministri i Jashtem u shpreh se shpreson që zoti Arbër Xhaferi nuk do t’u devijojë parimeve dhe angazhimeve të tij politike të sanksionuara në marrëveshjen e Ohrit. Nëse ka pakënaqësi për zbatimin e saj, ato nuk duhet të çojnë në falimentimin e kësaj marrëveshjeje.

E njëjta linjë është mbajtur edhe nga Partia Demokratike. Sekretari i saj për Marrëdhëniet me Jashtë, Besnik Mustafaj, ka shprehur habinë për kthesën e zotit Xhaferri. Ai ka deklaruar se deklarimet e përfaqësueve politikë shqiptarë dhe maqedonas, kanë një përmbajtje antieuropiane dhe antiitegruese:

"Ne si PD nuk mbështesim asnjë ide dhe veprim që con në cënimin e integritetit territorial të Maqedonisë, ne njohim se shqiptarët në Maqedoni kanë ende shumë të drejta të parealizuara, por mendojmë se ato do të përmbushen me vënien në jetë të marrëveshjes së Ohrit", deklaroi zoti Mustafaj.

Reagimi i përfaqësuesve shtetërorë dhe politikë të Tiranës nuk është aspak i papritur, nëse mbahet parasysh qëndrimi i mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve ndaj zhvillimeve në Maqedoni dhe përkrahjes së hapur që iu dha marrëveshjes së Ohrit.

PD kërkon debat në parlament për krimin

Partia Demokratike në Shqipëri njoftoi sot se ka filluar procedurat për të kërkuar një mocion per debat në Parlament për të diskutuar rreth nivelit dhe përhapjes së krimit të organizuar në vend. Demokratet në opozitë do të kërkojnë që në debat të thirret kryeministri Fatos Nano, Ministri i Rendit, ai i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Këtë e deklaroi sot Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat Bamir Topi, sipas të cilit krimi i organizuar në Shqipëri po lulëzon dhe se përballë këtij fenomeni ku shpesh janë të përfshirë edhe segmente shtetërore, qeveria po qëndron indiferente.

Kërkesa e opozitës vjen pas disa vrasjeve të bujshme në kryeqytet, të cilat kanë prekur edhe biznesin shqiptar. Mbrëmë u rrëmbye nga persona ende të panjohur, Klajdi Shehu, nipi i njërit prej tregtarëve më të mëdhenj të cimentos, Sulo Shehu, nga qyteti i Vlorës. Sipas Shehut i cili ka komunikuar me telefon me rrëmbyesit, ata vetëm kanë kërcënuar dhe nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë për lirimin e pengut. Shehu ka sqaruar se kërcënimet kishin të bënin me aktivitetin e tij tregtar. //lk //

XS
SM
MD
LG