Lidhje

Zyrtarët në Kosovë komentojnë mbi arrestimin e ish-komandantit të UÇPMB-së - 2003-04-23


Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë thanë sot se arrestimi dje i ish- komandantit të kryengritësve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga ana e forcave paqëruajtëse, nuk ka të bëjë me urdhër-arrestin e lëshuar nga autoritetet serbe nëpërmjet Interpolit.

Trupat amerikane të KFOR-it, njoftuan mbrëmë se një shqiptar është arrestuar në Kosovën Lindore, për shkak se paraqet “rrezik për sigurinë”, por pa bërë të ditur identitetin e tij dhe as hollësi të tjera rreth arrestimit.

Mjetet serbe të informimit thanë se i arrestuari është Shefket Musliu, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ndërsa kjo u konfirmua edhe nga familjarët e zotit Musliu. Arrestimi i tij ndodhi pak orë pas publikimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet serbe kundër zotit Musliu dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij. Mirëpo, zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Andrea Anxheli, tha se arrestimi është bërë nën autorizimet që ka KFOR-i në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka të bëjë me këtë kërkesë të lëshuar nëpërmjet Interpolit.

“UNMIK-u është njohur me kërkesën e Interpolit, duke kërkuar nga autoritetet serbe që të dorëzojnë tërë dokumentacionin që ka të bëjë me këtë rast”.

Zoti Anxheli tha gjithashtu se policia dhe Departamenti i Drejtësisë duhet të shqyrtojnë të gjithë çështjen, para se të merren çfarëdo hapash.

Shefket Musliu, komandant i kryengritësve, tashmë të shpërndarë të Luginës së Preshevës, është akuzuar nga autoritetet serbe se është anëtar Armatës Kombëtare Shqiptare, e cila javën e kaluar u cilësua si organizatë terroriste, me një urdhër të posaçëm të shefit të UNMIK-ut, Mihail Shtajner. Ky veprim, pasoi një shpërthim në hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë, në komunën veriore të Zvecanit, të banuar me shumicë serbe. Ky akt u morr përsipër nga Armata Kombëtare Shqiptare, e cila pohoi se në këtë aksion ka humbur dy pjestarë të saj.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara bënë të ditur sot, se kanë arrestuar një shqiptar 38 vjeçar nga Mitrovica, nën dyshimin se ka lidhje me këtë sulm. Por, ata nuk pranuan të japin asnjë hollësi rreth identitetit të të arrestuarit. Burimet vendore të informimit në Mitrovicë bëjnë të ditur ndërkaq se i arrestuari është pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës…// lk //

XS
SM
MD
LG