Lidhje

Iraku dhe prania amerikane - 2003-04-23


Luftimet në Irak në përgjithësi kanë marë fund. Por forcat amerikane të këmbësorisë vazhdojnë të shkojnë në këtë vend për të ruajtur paqen. Megjithatë, siç njofton korespondenti Alex Belida, zyrtarët e Pentagonit hedhin poshtë kategorikisht pohimet se Shtetet e Bashkuara kanë plane për një prani afat-gjatë në Irak.

Numri i kontigjentit të parë të forcave amerikane që luftuan për marrjen e Bagdadit ishte rreth 100 mijë. Tani zyrtarë të Pentagonit thonë se numri i trupave të këmbsorisë është gati 150 mijë, megjithëse luftimet thuajse kanë përfunduar.

Zëdhënësi i komandës qëndrore amerikane, gjenerali Vincent Brooks, tha se anijet dhe aeroplanët amerikanë po kthehen në bazat e tyre të përhershme, por vazhdimi i shtimit të pranisë së trupave të këmbsorisë është i nevojshëm për të garantuar sigurinë.

“Në të njëjtën kohë, ne po shtojmë praninë në tokë. Një gjë e tillë është e nevojshme për të zgjeruar praninë fizike që kërkohet për të krijuar kushtet e qëndrueshmërisë dhe për të garantuar sigurimin e nevojshëm,” thotë gjenerali Brooks.

Dërgimi i forcave të këmbsorisë në Irak ka qënë gjithnjë pjesë e planit të luftës për Irakun. Ky plan është ndryshuar thjesht për të eliminuar disa elementë, që komandantët mendojnë se nuk janë më të nevojshëm. Kjo do të thotë se vazhdimi i pranisë po bëhet në fakt në një shkallë më të vogël se sa pritej.

Por zyrtarët e mbrojtjes këmbëngulin se nuk ekziston ndonjë plan amerikan afat-gjatë për të qëndruar në Irak. Megjithëqë ata nuk mund të parashikojnë se sa kohë do të qëndrojnë atje trupat amerikane, ata insistojnë se trupat nuk do të qëndrojnë as edhe një ditë më shumë se sa do të jetë nevoja. Për të nënvizuar këtë angazhim, sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, reagoi ashpër këtë javë, duke hedhur poshtë një artikull gazete, sipas të cilit Pentagoni po përpiqet të sigurojë përdorimin afat-gjatë të 4 bazave në Irak. Sipas artikullit të botuar në gazetën The New York Times, zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush kanë thënë se një gjë e tillë do ta lejonte Washingtonin të vendoste ndikimin amerikan në zemër të një rajoni ende të trazuar. Por sekretari Rumsfeld tha se ky artikull jo vetëm që ishte i pavërtetë por edhe i padobishëm. “Nuk është marë asnjë vendim i tillë, nuk janë arritur përfundime të tilla dhe është fakt se nënkuptimi që Shtetet e Bashkuara po planifikojnë marrëdhënie afat-gjatë me qeverinë e re të Irakut, kur një qeveri e tillë as që ekziston, është i gabuar. Përshtypja që është krijuar në botë se ne kemi në plan të qëndrojmë në Irak për një periudhë të gjatë, të përdorim bazat irakiane për një kohë të gjatë, është krejtësisht false,” tha sekretari i mbrojtjes.

Sekretari Rumsfeld e pranon se administrata amerikane po e rishikon strategjinë ushtarake në rajonin e Gjirit Persik. Por ai thotë se ekzistojnë baza të mjaftueshme alternativë që do ta bënin të panevojshëm shqyrtimin e bazave të reja në Irak.

Megjithatë, dokumenti i strategjisë së sigurimit kombëtar të administratës, i cili u publikua shtatorin e kaluar, linte të kuptonte interesimin për zgjerimin dhe jo pakësimin e pranisë ushtarake amerikane në botë.

Në dokumentin prej 31 faqesh, prania e forcave amerikane në botë cilësohej si një prej simboleve më themelore të angazhimeve amerikane ndaj aleatëve dhe miqve.

Në dokument nuk specifikoheshin vende të tjera për shtrirjen e pranisë ushtarake amerikane, por që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në New York dhe Washington, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar përdorimin e një seri bazash të reja, kryesisht në Azinë qëndrore dhe në Evropën Lindore. Tani Shtetet e Bashkuara kanë shtuar, të paktën përkohësisht, përdorimin e bazave në Afganistan dhe në Irak.//ii

XS
SM
MD
LG