Lidhje

SHBA, Koreja e Veriut, Kina në përpjekje për të ulur krizën bërthamore - 2003-04-23


Diplomatë amerikanë, koreanoveriorë dhe kinezë i dhanë fund ditës së parë të bisedimeve në Pekin mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Kryetari i delegacionit amerikan, Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit James Kelly, nuk bëri ndonjë koment për gazetarët pas bisedimeve të sotme. Komente publike nuk u bënë as nga delegacionet koreanoveriore dhe kineze.

Zyrtarë në të tre vendet kanë thënë se nuk prisin rezultate të mëdha nga këto bisedime, që pritet të zgjasin deri të premten. Pheniani kërkonte zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin, por më pas ra dakord me një plan kinez për bisedime tripalëshe në Pekin.

Para bisedimeve, zyrtarë kinez u takuan veças me anëtarë të delegacionit amerikan dhe atij koreanoverior. Këto janë kontaktet e para të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut që nga shpërthimi i krizës rreth programit bërthamor të Phenianit. Në muajin tetor, zoti Kelly akuzoi Phenianin se kishte një program të fshehtë armësh bërthamore.

//rd//

XS
SM
MD
LG