Lidhje

Bisedimet Pauëll - Dë Vilëpën - 2003-04-24


Ministri i Jashtëm i Francës, Dominik dë Vilëpën, i cili i telefonoi i pari Sekretarit Pauëll, ndërsa ishte duke bërë një vizitë në Jordani, është duke mbrojtur veprimet e Francës gjatë krizës së Irakut.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë theksuar se të dy vendet do të mbeten aleatë. Ata shtuan se zoti Pauëll dhe homologu i tij francez bënë shaka me ato që ata i konsideruan si njoftime të zmadhuara të shtypit rreth aludimeve lidhur me komentet e Sekretarit Pauëll, gjatë intervistës që ai i dha të martën në mbrëmje rrjetit televiziv, C-B-S.

Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher po i përmbahet idesë që do të ketë pasoja për atë që ai tha se nuk ishte thjesht një përplasje pikëpamjesh mbi Irakun, por një ndikim aktiv lobist i Francës kundër përpjekjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara para luftës me Irakun. Ai tha se që nga ajo kohë ka pasur disa shenja pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, por shtoi se mbetet për t’u parë në se këto mund t’i riparojnë dëmet e shkaktuara gjatë mosmarrëveshjes për Irakun.

“Këto gjëra nuk janë pa pasoja. Ne duhet të kemi parasysh mosmarrëveshjet dhe të shohim se deri në çfarë mase bashkëpunimi i ri në fusha të tjera do të bëjë që ato t’i mbeten së kaluarës. Por ne po ashtu duhet të kuptojmë se i patëm ato mosmarrëveshje, ta kuptojmë se ato ishin të rënda e të vështira dhe që nuk do të jenë pa pasoja për të ardhmen.”

I pyetur me këmbëngulje për ndonjë shëmbull lidhur me ndonjë reagim të mundshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zyrtar i lartë tha se brenda Natos mund të aktivizohet më shumë Këshilli për Planifikimin e Mbrojtjes, në të cilin nuk bën pjesë Franca. Por ai tha se nuk mendohet që Shtetet e Bashkuara të bojkotojnë takimin e nivelit të lartë të Tetëshes që do të mbahet në Evian të Francës në fillim të qershorit.

Zëdhënësi Boucher përmendi si shenjë pozitive për marrëdhëniet propozimin francez të së martës për pezullimin e sanksioneve tregtare civile të OKB-së kundër Irakut. Por ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mendojnë se me heqjen e Sadam Huseinit nga pushteti, sanksionet duhen hequr tërësisht.

“Për mendimin tonë do të ishte një veprim në drejtimin e duhur. Do të ishte si një njohje që situata ka ndryshuar. Ne mendojmë se ndryshimi i situatës justifikon, në fakt dikton nevojën që ne duhet t’i heqim sanksionet dhe në asnjë mënyrë të mos i krijojmë probleme popullit irakian ndërkohë që ai përpiqet të vendosë marrëdhënie dhe status normal në botë.”

Një zëdhënës për zotin Dë Vilëpën në Aman e cilësoi bisedën ndërmjet zotit Pauëll dhe ministrit të Jashtëm francez si shumë të përzemërt. Në një deklaratë para bisedës telefonike, zoti Dë Vilëpën tha se Franca do të vazhdojë të ndjekë parimet e saj për çështje të tilla si Iraku. Ai tha se gjatë gjithë krizës irakiane Franca, krahas një pjese të madhe të komunitetit ndërkombëtar, veproi në përputhje me bindjet dhe parimet e saj për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar.

Në mars Franca u kërcënua se do të përdorte veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për një rezolutë të re që do të autorizonte përdorimin e forcës, duke thënë se inspektorëve të OKB-së u duhej më shumë kohë për të përcaktuar në se Iraku ishte duke bashkëpunuar me rezolutën 14-41 të Këshillit të Sigurimit, të miratuar në nëntor.//ic//

XS
SM
MD
LG