Lidhje

E ardhmja e Irakut - analistët komentojnë për sfidat e rindërtimit - 2003-04-24


Tani që ushtarët dhe ekipet e tjera të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po riparojnë infrastrukturën e dëmtuar të Irakut, kanë filluar edhe bisedimet mbi të ardhmen e këtij vendi. Të merguarit irakianë, figurat e opozitës dhe udhëheqësit fetarë e fisnorë kanë mbajtur serinë e parë të takimeve lidhur me themelimin e një qeverie të përkohëshme dhe për hedhjen e bazave të demokracisë. Feisal Istrabadi është avokat me origjinë irakiane që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se do të jetë e rendësishme që irakianët në Irak dhe jashtë tij të marrin pjesë në formimin e një qeverie të re.

”Që autoriteti i përkohshëm të ketë një farë legjitimiteti, në Irak nuk mund të qeverisin një grup njerëzish të cilët thjesht kanë jetuar në mërgim për dekada. Atje duhet të qeverisin elementë vendas. Nga ana tjetër është e vërtetë se komuniteti irakian në diasporë ka përfituar shumë duke jetuar në vendet perëndimore dhe ka mësuar se si funksionon demokracia dhe mënyra e jetesës në perëndim. Mendoj se ata do të luajnë rol duke çuar atje mënyrën perëndimore të të menduarit.”

Corine Hegland, korrespondente e revistës National Journal, thotë se njëra prej sfidave në gjetjen e udhëheqësve në Irak është identifikimi i atyre që kanë patur gisht në krimet e regjimit të Saddam Husseinit.

”Gati të gjithë irakianët që kanë patur poste në qeverinë e Partisë Baath të Saddam Husseinit në një mënyrë ose një tjetër janë të komprometuar. Sepse për të patur një punë, për të punuar në burokraci, anëtarësia në partinë Baath ishte e domosdoshme. Por kjo është pak më ndryshe nga pjesmarrja aktive në krimet e regjimit, thotë zonja Hogland.”

Për sqarimin e këtyre gjërave kërkohet kohë. Feisal Istrabadi thotë se Kombet e Bashkuara mund të ndihmojnë në këtë drejtim

”Mendoj se roli i Kombeve të Bashkuara mund të jetë i dobishem, duke bashkuar grupe të ndryshme të merguarish si dhe në aktivizimin e irakianëve vendas të cilët nuk kanë bashkëpunuar me ish regjimin e Saddam Husseinit. Mendoj se kjo do të forconte pozitat e Shteteve të Bashkuara, duke bërë të qartë se në Irak nuk do të ketë luftë për pushtet.”

Zonja Corine Hegland nuk pajtohet me këtë pikpamje. Ajo thotë se roli i Kombeve të Bashkuara duhet të jetë i kufizuar vetëm në ndihmat humanitare.

”Kombet e Bashkuara nuk dinë të qeverisin një vend. Vetë Organizata e Kombeve të Bashkuaar është një formë burokratike si një lloj forumi ku vendet e ndryshme debatojnë dhe argumentojnë lidhur me organizimin e programeve dhe mënyren e financimit të tyre. Pra nuk është mirë që OKB-ja të shkojë në një vend dhe të përpiqet të administrojë duke sjellë aty një ekip i cili nuk i njeh qytetet e ndryshme të vendit. OKB-ja nuk i di këto punë. Kombet e Bashkuara mund të kenë sukses në gjëra të tilla si Programet e Ushqimit Botëror, UNICEF-i e të tjerë, thotë Hegland.”

Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po e përqendron vemendjen tek ndihma ndaj irakianëve për nevojat e tyre të menjëhershme siç janë uji, ushqimi, energjia elektrike, pajisjet mjeksore dhe siguria.

XS
SM
MD
LG