Lidhje

Si krijohet një shtet i ri? - 2003-04-24


22 nga 27 vendet pas komuniste në Evropë, janë shtete të krijuara 10 vitet e fundit: 15 nga ish-Bashkimi Sovjetik, 5 nga ish-Jugosllavia dhe dy nga ish-Çekosllovakia.

Ann Robertson, studiuese e çështjeve ndërkombëtare që lidhen me Evropën Juglindore, e cila ka punuar për disa projekte për Qendrën Woodrow Wilson, shpjegoi në një takim se si janë krijuar shtetet e reja dhe ç’rrugë duhet të përshkojnë ato që shpresojnë të bëhen shtete.

Pikat e konventës së Montevideos për krijimin e një shteti janë të thjeshta: të kesh një territor, banorët e përhershëm, të ngresh një qeverisje dhe të njihesh nga jashtë. Por sado të përcaktuara që janë ato, zonja Robertson thotë se ka vende në Evropën Lindore që e kanë patur më të lehtë të krijohen dhe të tjera që ende shpresojnë të kenë një shtet. Formimi i vendeve të reja është i lidhur më shumë me rrethanat historike, mprehtësinë e udhëheqësve dhe vullnetin ndërkombëtar, sesa thjesht me zbatimin pikë për pikë të këtyre rregullave.

Zonja Robertson përcakton si një nga synimet më të vështira për t’u arritur, të qenit në kontroll të territorit, ku do të krijohet shteti. Në shumicën e rasteve, vendet e reja krijohen në territore që shkëputen nga një vend ekzistues, çka shkakton trazira civile. Zonja Robertson thotë se për këtë arsye pretendimi ndaj një territori duhet argumentuar në mënyrë bindëse.

Duke folur për mobilizimin e popullsisë përmes nacionalizmit, zonja Robertson paralajmëroi për rrezikun e përcaktimin të shtetasve duke marrë parasysh përkatësinë etnike.

“Ne vetëm mund të shpresojmë që spastrimi etnik të mos shndërrohet në një karakteristikë përcaktuese e shtetit të ri”, tha ajo.

Zonja Robertson shtoi se një rrezik i tillë ekzistonte në Maqedoni, por sipas saj me kornizën kushtetuese të Ohrit dhe përfshirjen e shqiptarëve në udhëheqje, ky vend po i largohet këtij rreziku.

Për studiuesen, është e kuptueshme që shtetet e reja, si ato të Evropës Lindore të përballen me probleme, si shtete të krijuara vetëm së fundmi, kur disa probleme të tilla i kanë ende edhe Shtetet e Bashkuara: “Kur Amerikanët ende përballen me një farë krize identiteti pas më shumë se dy shekujsh, atëherë nuk duhet të pritet nga shtetet e reja postkomuniste që t’i zgjidhin gjithë këto dilema vetëm për 10 vjet”, tha ajo.

Si karakteristikë të udhëheqësve të shteteve të sapokrijuara, zonja Robertson përmend aftësinë për të tërhequr njerëzit. Por ajo thotë se me lindjen e problemeve konkrete, u lihet më pas vendi drejtuesve teknokratë dhe me aftësi administrative.

Zonja Robertson tha se njohja nderkombëtare është një nga synimet më të vështira për t’u arritur dhe shpesh merr më shumë rëndësi se sa vetëvendosja. Ja ç’thotë ajo për rastin e Kosovës. “Nga njëra anë Kosova po e tregon shumë qartë dëshirën e saj për vetëvendosje dhe po i thuhet ‘jo’. Nga ana tjetër kemi Timorin Lindor, që e bëri deklaratën e pavarësisë dhe menjëherë trupat paqeruajtëse atje e ndihmuan. Bëhet fjalë për standarde të dyfishta”, tha ajo.

Zonja Robertson shoti se faktori i fundit i rëndësishëm për krijimin e një shteti, është veprimi i shpejtë dhe energjik. Sipas saj udhëheqësit që marrin vendime konkrete drejt pavarësisë, e kanë më shumë në dorë fatin e vendit, sesa ata që vetëm presin. //kk//

XS
SM
MD
LG