Lidhje

Banorët e Bathores përleshen me policinë - 2003-04-24


Disa qindra banorë të zonës së Bathores në periferi të kryeqytetit shqiptar, u përleshën sot me policinë, ndërsa përpiqeshin të marshonin drejt qendrës së Tiranës. Disa policë mbetën të plagosur nga goditjet me gurë. Banorët e Bathores kërkojnë legalizimin e banesave të tyre, dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Qeveria shqiptare njoftoi ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë kërkesat e protestuesve, ndërsa partia demokratike në opozitë deklaroi se do të paraqesë në parlament një projektligj për legalizimin e banesave në Bathore.

Një situatë tejet e tensionuar shoqëroi sot protestën e familjeve të Bathores. Ashtu si edhe dje ata dolën në rrugën kombëtare që lidh Tiranën me pjesën veriore të vendit, duke iu drejtuar qendrës së kryeqytetit.

Forca të shumta policie krijuan një gardh për të ndaluar marshimin e tyre. Acaraimi arriti kulmin pak pas orës 10 kur drejt forcave të policisë nisën të lëshoheshin gurë, ndërsa shumë nga protestuesit canë bllokimin. Të shtënat në ajër me armë nga ana e policisë jo vetëm nuk i ndalën protestuesit por duket se e acaroi më shumë situatën. Një makinë e forcave të rendit u përmbys dhe xhamat e shumë të tjerave u thyen. Sipas ministrisë së rendit, disa nga policët mbetën të plagosur nga goditjet me gurë.

Tensioni i lartë vazhdoi për afër dy orë. Të dyja palt u pozicionuan në anët e urës që lidh kryeqytetin me zonën e Kamzës. Forca të shumta me skafandra, mburoja dhe shkopinj gome bllokuan avancimin e mëtëjshëm të protestuesve.Gjendja më pas kaloi në një fazë pritjeje derisa u njoftua takimi i një përfaqësie të protestuesve në Ministrinë e Rregullimit të Territorit.

Banorët e Bathores, janë të gjitha familje të ardhura nga zonat e thella dhe më të varfëra të vendit, kryesisht nga veriu dhe verilindja. Ata ndërtuan aty secili shtëpitë e tyre të banimit mbi sipërfaqe të lira toke, jashtë cdo kontrolli urbanistik. Për pasojë tashmë aty është krijuar një qytezë më vete me afër 5 mijë familje, ku infrastruktura thuajse nuk ekziston. Banorët tashmë janë ngritur për të kërkuar që banesat e tyre të legalizohen ashtu sic dhe u ishte premtuar, si dhe ngritjen e një rrjti shrbimesh për furnizimin me ujë dhe energji.

Një projekt disa milion dollarësh i Bankës Botërore duket se ka mbetur i bllokuar. Për këtë arsye sot qeveria njoftoi nëpërmjet zëdhënësit të kryeministrit Aldrin Dalipi se është ngritur një komision hetimor për të shqyrtuar përdorimin e fondeve të investimeve nga pushteti lokal, ndërsa një grup ekspertësh do të shqyrtojnë kërkesat e banorëve. Nga ana tjetër për gjendjen e krijuar opozita akuzoi sot qeverinë shqiptare për premtimet e saj të pambajtura.

Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha njoftoi sot se javën e ardhshme ata do të dorëzojnë në parlament një projektligj për legalizimin e banesave të familjeve të Bathores.

//rd//

XS
SM
MD
LG