Lidhje

Serbia merr masa të rrepta ndaj kriminelëve - 2003-04-25


Pas vrasjes së kryeministrit të Serbisë Zoran Xhinxhiq më 12 mars, qeveria serbe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe filloi një fushatë kundër krimit të organizuar. Policia serbe ndaloi më tepër se 10 mijë njerëz për t’i marrë në pyetje dhe rreth tre mijë e treqind të tjerë janë në gjendje arresti. Gjendja e jashtëzakonshme u hoq më 22 prill.

Millorad “Legija” Lukoviç është udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar, që njihet edhe si grupi e Zemunit dhe ish-udhëheqësi i Njësisë së Opeacioneve Speciale, tani të shpërbërë, që njihet edhe si “Berretat e Kuqe”. Ai mendohet se është ideatori i vrasjes së zotit Xhinxhiq. Grupi “Berretat e Kuqe” janë përgjegjëse për pastrim etnik dhe vrasje në vitet ’90-të, në kohën e regjimit të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Lukoviç vazhdon të jetë i lirë. Zëvendësshefi i Berretave të Kuqe, Zvezdan Jovanoviç, pohoi se ka qenë personi që ka qëlluar ndaj zotit Xhinxhiq.

Një nga rezultatet e masave të rrepta ndaj krimit të organizuar në Serbi, ishte arrestimi i ish-komandantit të ushtrisë jugosllave, Miroslav Radiç, i cili iu dorëzua policisë serbe më 21 prill. Radiç është një nga anëtarët e “Treshes së Vukovarit”, një grup oficerësh të ushtrisë, ndaj të cilëve ka ngritur padi Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë, për masakrën e vitit 1991, ndaj të paktën 250 burrave dhe grave, që u morën nga një spital gjatë rrethimit të qytetit kroat të Vukovarit. Radiç do t’i dorëzohet Gjykatës së Hagës, për t’i nënshtruar procesit gjyqësor.

Megjithë përparimin e rëndësishëm në hetimet në lidhje me vrasjen e zotit Xhinxhiq, përpjekjet për shkatërrimin e krimit të organizuar në Serbi dhe kapjen e kriminelëve të luftës, nuk kanë përfunduar. Siç tha Ministri i Drejtësisë i Serbisë, Vlladan Batiç, “Çdo shtet ka mafien e vet, por në Serbi, ne patëm problemin që mafia donte të kishte shtetin e vet.” Nxjerrja para drejtësisë e gjithë krimeve të kryera gjatë periudhës së Millosheviçit, do ta ndihmojë Serbinë të përparojë me reformat e veta ekonomike dhe politike.// lk //

XS
SM
MD
LG