Lidhje

Iraku në rrugën drejt demokracisë - 2003-04-25


Ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara punon për pastrimin e elementëve të mbetur të regjimit të Sadam Huseinit, populli irkaian po del nga hija e tiranisë. Irakianët po ndihmojnë forcat e koalicionit për të gjetur pjesëtarë të skuadrave të vdekjes, për të zbuluar vend-fshehjet e armëve, për të kapur udhëheqës të regjimit dhe për të rivënë rregull.

Pranë Mosulit, irakianët i dorëzuan zyrtarëve të koalicionit Samir Abed al-Azizin, një zyrtar të lartë të Partisë Baath. Zyrtarë të tjerë të regjimit të vjetër që janë ndaluar nga koalicioni, janë Hiqmet Mizban Ibrahim al-Azavi, ish-zëvendës-kryeministri dhe ministri i financave. Ai është arrestuar nga policia irakiane dhe u është dorëzuar marinsave amerikanë në Bagdad. Muhamed Hamza al-Zabajdi ka luajtur rol të rëndësishëm në shtypjen e myslimanëve shiitë më 1991 nga regjimi brutal i Sadam Huseinit. Ai u kap nga irakianët dhe ndodhet nën mbikqyrjen e forcave të koalicionit për t’u gjykuar për krime lufte.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se ky lloj bashkëpunimi spontan po ndodh çdo ditë në mbarë Irakun.

“Jo të gjithë irakianët e mbështesin praninë e koalicionit dhe ne e dimë këtë, tha Sekretari Rumsfeld. Diçka që pritet. Sigurisht, ata që kanë prëfituar nga regjimi i kaluar nuk e mbështesin koalicionin. Në çdo sistem totalitar, do të ketë një pjesë të vogël të popullsisë që përfiton nga pushteti i diktatorit. Besnikët ndaj figurave në iran apo Siri, pa diskutim që nuk i mbështesin forcat e koalicionit, ndërsa disa të tjerë mund të jenë qytetarë të zakonshëm që, kuptueshëm, nuk ndjehen mirë për shkak të pranisë së çfarëdo force ushtarake të huaj në vendin e tyre”.

Para çlirimit, protestat politike në Irak kanë qenë të ndaluara. Tani që Sadam Huseini ka rënë nga pushteti, irakianët po flasin hapur. Irakianët janë të lirë përsëri që të praktikojnë fenë e tyre. Më 22 prill, qindra-mijëra myslimanë-shiitë shkuan në qytetin irakian Qerbela për të marrë pjesë në ceremonitë fetare në përkujtim të martirizimit në shekullin e 7-të të nipit të Profetit Muhamet. Ky pelegrinazh ka qenë i ndaluar nga regjimi i Sadam Huseinit për më shumë se 2 dekada.

Siç ka thënë Presidenti Bush, “udhëtimi nga një diktaturë totalitare e brutale në një shoqëri të lirë nuk është i lehtë. Ndërtimi i institucioneve të demokracisë dhe krijimi i shprehive të lirisë merr kohë”.//ic//

XS
SM
MD
LG