Lidhje

Presidenti Bush shprehet me optimizëm për të ardhmen e Irakut - 2003-04-25


Presidenti u përshëndet me ovacione në një uzinë të mbrojtjes në shtetin Ohajo, që prodhon tanke për ushtrinë. Ai i informoi të pranishmit për ecurinë e luftës dhe për punën që duhet bërë në Bagdad.

“Ende ekzistojnë rreziqe dhe sfida. Por një gjë është e sigurt, Saddam Husseini nuk është më në pushtet ”.

Presidenti tha se demonstratat që po zhvillohen tani në Irak, përbëjnë një shenjë që tregon se liria po hedh rrënjë dhe se njerëzit tani mund të flasin hapur dhe të praktikojnë besimin e tyre pa patur frikë se do të ndëshkohen.

“Kur diktatori Saddam ishte në pushtet, ai u priste gjuhën njrëzve që guxonin të fllisnin hapur dhe i linte të vdisnin nga hemoragjia në sheshet e qyteteve. Në këtë mënyrë i trajtonte ai disidentët. Sot në Irak njerëzit janë të lirë në diskutojnë, të debatojnë, të protestojnë, pra të ushtrojnë të gjitha të drejtat që u jep liria”.

Presidenti Bush tha se po bëhet përparim dhe se Shtetet e Bashkuara duan të japin ndihmesën e tyre. Por ai theksoi se e ardhmja e Irakut varet tek vetë populli irakian dhe jo tek Uashingtoni.

“Iraku duhet të jetë demokratik. Dhe ndërkohë që po dalin udhëheqësit e rinj të Irakut, ne do të punojmë me ta. Por një gjë është e sigurt, ne nuk do të imponojmë qeverinë e Irakut".

Presidenti tha se koalicioni do të punojë në Irak deri sa misioni i tij të përfundojë, duke përfshirë edhe zbulimin e të vërtetës për armët e shkatërrimit në masë të Irakut. Zoti Bush vuri në dukje se regjimi i përmbysur irakian ka fshehur për vite me radhë armët nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara.

“Prandaj do të duhet kohë për t’i gjetur ato. Por ne e dimë se ai ka patur armë të tilla. Ne do ta gjejmë të vërtetën nëse ai i ka shkatërruar ato, i ka transferuar apo i ka fshehur. Një gjë është e sigurt, Saddam Husseini nuk është më kërcënim për Amerikën me armët e tij të shkatërrimit në masë".

Presidenti e kaloi pjesën më të madhe të ditës në Ohajo, një shtet me rëndësi për fushatën për t’u rizgjedhur. Para fjalimit të tij për Irakun në qytetin Lima, ai mbajti një fjalim në Kanton për ekonominë. Në përgjithësi mesazhi i tij për popullin amerikan ishte se ndërsa ai është i preokupuar për ngjarjet jashtë vendit, ai merr masa për të trajtuar edhe problemet e brendëshme.//ic//

XS
SM
MD
LG