Lidhje

Kompjuteri dhe interneti shtojnë hendekun dixhital - 2003-04-25


Me rritjen e përdorimit të kompjuterave dhe internetit në Shtetet e Bashkuara, po thellohet edhe hendeku dixhital ndërmjet atyre që përdorin këtë mjet të fuqishëm komunikimi dhe atyre që nuk kanë mundësitë apo aftësitë të futen në rrjet. Në materialin që vijon i hidhet vështrimi një studimi të ri që identifikon edhe shkaqe të tjera që e ushqejnë këtë hendek

Për vite me radhë mendohej se përdorimi i kompiuterit ishte një çështje burimesh dhe aftësish. Pra kishte njerëz që zotëronin aftësinë dhe burimet financiare për të blerë kompiuter, ndërsa të tjerë, jo. Mendohej se interneti do të ishte i parezistueshëm për të gjithë.

Por, një raport i ri i Projektit Pew për Internetin dhe Jetën në Amerikë thekson se 42 për qind e amerikanëve në moshë të rritur nuk e përdorin internetin, disa prej tyre për arsye të habitshme. Kryesorja ndër to është mungesa e interesit, ndërsa një e pesta e këtyre personave nuk kanë lidhje interneti në shtëpi dhe 17 për qind janë futur në internet, por më pas kanë hequr dorë prej tij.

Specialistja e projektit Pew, Amanda Lenhart, punoi për përgatitjen e raportit: "Shumë njerëz, veçanërisht ata që kanë pasur një farë përvoje me internetin, qoftë pasi kanë jetuar me dikë që përdor internetin, ose kanë pasur përvojë personale me të, kanë të ngjarë të thonë: nuk më duhet interneti. Kam krijuar metoda të tjera të lidhem me njerëzit, pa nevojën e internetit" thotë specialistja.

Gjatë studimit, projekti Pew zbuloi se një numër njerëzish shqetësoheshin se interneti i ekspozon ndaj atyre që vjedhin identitetin e të tjerëve, është i pamoralshëm pasi ka shumë pornografi, ose është thjesht një humbje e kotë kohe. "Disa njerëz na thanë se kanë frikë se po filluan të përdorin internetin, do t’u merrte gjithë kohën e lirë dhe mund edhe të bëheshin të varur prej tij.

Disa prej aryeve, shpjegon zonja Lenhart, lidheshin me problemet e rrjetit: "Shumë herë kishin pasur probleme me programet kompiuterike, ose edhe me vetë internetin. Për njerëz që nuk preferojnë teknologjinë e lartë por lidhjet direkte, kjo ishte një pengesë e pakëndshme. Ata duan të flasin sy më sy, pa u penguar nga një ekran kompjuteri", thotë zonja Lenhart.

Në fakt interneti është një shpikje aspak me interes për 42 për qind të amerikanëve. Ky qëndrim nuk e habit profesorin e Universitetit të Pensilvanisë Jorge Schement, i cili ka studiuar prej vitesh mënyrën se si amerikanët u përshtaten teknologjive të reja: "Nganjëherë si politikanët ashtu edhe publiku nisen nga supozimi se teknologjia e mirë është me vlerë për këdo. Por kemi mësuar, thekson profesori, se jo të gjithë amerikanët kanë të njëjtin qëndrim. Shumë njerëz bënin një jetë shumë të mirë para shpikjes së internetit dhe shumë prej tyre e vazhdojnë këtë jetë",thotë zoti Schement.

Siç vë në dukje studimi i Projektit Pew, gjë që theksohet edhe nga pohimet e profesorit Schement, mund të ketë pasoja për ata që nuk e përdorin internetin. Shumë të dhëna ofrohen tani vetëm përmes internetit. Dhe në këtë shoqëri që bazohet kaq shumë në teknologjinë, njerëzit që nuk përdorin internetin mund të cilësohen si të prapambetur.

Pavarësisht nga shtrirja që vazhdon të gëzojë interneti, Projekti Pew dhe profesori Schement parashikojnë se do të vazhdojë të ketë amerikanë të cilët pasi njihen me këtë teknologji, mund të vendosin t’i kthejnë shpinën dhe ta harrojnë.

XS
SM
MD
LG