Lidhje

Shpërthime të fuqishme në Bagdad - 2003-04-26


Një depo municioni u hodh në erë në një zonë të banuar në kryeqytetin e Irakut, duke shkaktuar shpërthime vdekjeprurëse dhe demonstrata të fuqishme kundër ushtrisë amerikane.

Komandantët amerikanë thonë se të paktën 6 vetë u vranë nga këto shpërthime, kur sulmues të panjohur hodhën bomba zjarri në grumbullin e municionit të ekspozuar. Rreth 50 irakianë dhe një ushtar amerikan njoftohet se u plagosën.

Qindra banorë të zëmëruar të Bagdadit vërshuan në zonë dhe akuzuan forcat amerikane për shpërthimet, që shkaktuan fluturimin e raketave dhe predhave të mortajave në lagjet e tyre.

Protestuesit qëlluan me gurë dhe hapën zjar kundër ushtarëve amerikanë, që u përpoqën t’u vinin në ndihmë të plagosurve. Qindra irakianë të tjerë ndoqën me makina nëpër qytet një kamion që transportoi trupat e 6 të vrarëve, ndërsa hidhnin parulla anti-amerikane.

Komanda Qendrore amerikane tha se depoja e armëve ishte ngritur në një zonë të banuar nga qeveria e përmbysur irakiane dhe ky është një fakt tjetër që tregon urrejtjen e Saddam Husseinit për popullin irakian. Autoritetet amerikane thonë se regjimi i Saadamit i magazinonte lëndët shpërthyese në shkolla dhe në zona të banuara përreth Bagdadit.

Trupat e koalicionit janë përpjekur të vendosin gjendjen e sigurisë në kryeqytetin e Irakut, që kur regjimi i Saddam Husseinit u përmbys në fillim të këtij muaji. Ato kanë kapur gjithashtu zyrtarë të lartë të qeverisë së përmbysur.//ic//

XS
SM
MD
LG