Lidhje

Fluturimi i parë në hapësirë që nga humbja e anijes Columbia - 2003-04-26


Dy anëtarë të rinj ekuipazhi u nisën të shtunën për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, me një anije ruse të hapësirës, Soyuz, nga Baikonur i Kazakistanit. Ata duhet të kishin shkuar në stacionin ndërkombëtar me një anije amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë muajin e kaluar, por humbja e anijes Columbia dhe si rrjedhojë vendimi për të pezulluar përkohësisht fluturimin e anijeve amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë, i përmbysi ato plane.

Astronauti amerikan, Edward Lu dhe kozmonauti rus, Yuri Malenchenko, do të jenë ekuipazhi i shtatë që do të banojë në stacionin e hapësirës. Një anëtar i tretë i ekuipazhit ishte fillimisht anëtar i ekuipazhit të tyre, por pezullimi i fluturimeve të anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë, e detyroi agjencinë amerikane të hapësirës, Nasa, të pakësojë numrin e anëtarëve të ekuipazhit dhe shumë aspekte të tjera të këtij misioni.

Ndonëse anija Soyuz mund të mbajë tre njerëz, ajo nuk ka hapësirë të gjërë për ngarkesa si anijet amerikane. Po kështu edhe raketat ruse Progress, të cilat janë të vetmet anije të tjera për furnizime, tash për tash.

Punonjësja e Nasës, Merri Sanchez, përgjegjëse e kësaj ekspedite, thotë se hapësira e ngushtë ka bërë që të kufizohen ngarkesa dhe veprimtaria në bordin e stacionit të hapësirës.

Bile Nasa po kërkon nga Lu dhe Malenchenko që të ndërrohen me rrallë. Meqenëse po nisen kaq pak pajisje shkencore, administratori i programit të stacionit, Bill Gerstemaier thotë se Nasa po i pakëson eksperimentet shkencore, arsyeja kryesore për të cilën po ndërtohet Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.

“Ne nuk do të kryejmë shumë eksperimente shkencore në stacion. Do të vazhdojmë me eksperimentet ekzistuese. Ndërsa më parë ne kishim në plan shumë më tepër eksperimente shkencore, sesa ekuipazh për t’i kryer ato, tani me sa duket do të kemi të paktën kohë të mjaftueshme që ata t’i kryejnë këto eksperimente, por ndoshta jo aq eksperimente sa ata do të mund të kryenin.”

Kryesisht ekuipazhi i ri i stacionit të hapësirës do të mbikëqyrë sistemet në bordin e stacionit, derisa të zëvendësohet në tetor. Për t’i thjeshuar gjërat, Nasa hoqi nga programi i saj një dalje në hapësirë për mirëmbajtje.

Ky do të jetë i pari ekuipazh prej dy personash në stacionin e hapësirës. Nasa e pranon se mund të ketë probleme psikologjike për anëtarët e ekuipazhit.

Pjesëtarët e ekuipazhit flasin rregullisht me pjesëtarët e familjeve të tyre me audio dhe video ndërlidhje. Po ashtu ata flasin shpesh me kontrollorët e misionit dhe me psikologë.

Në favor rë ekuipazhit të ri është fakti se ata e njohin mirë njëri-tjetrin. Ata janë stërvitur në një grup të përbashkët për disa muaj. Para këtij udhëtimi ata kanë qenë së bashku në një anije për vajtje-ardhje në hapësirë, gjatë një vizite në stacionin e hapësirës, ku ata bënë edhe një dalje në hapësirë së bashku.

//ze//

XS
SM
MD
LG