Lidhje

Policia e Vlorës arreston pesë vetë në lidhje me rrëmbimin e një njëzetvjecari - 2003-04-26


Policia e Vlorës njoftoi të shtunën në mesditë se ka arrestuar pesë persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim lidhur me rrëmbimin e një njëzetvjecari. Mes të arrestuarve që u shoqëruan të premtën në Komisariatin e Policisë së qytetit është edhe një ish-polic.

Të arrestuarit akuzohen për ”rrëmbim personi”, ndërsa polici edhe për ”shpërdorim detyre”. Më konkretisht policia e ka akuzuar atë se ka ndihmuar pengmarrësit me informacione që ta zhvendosin pengun nga njëri vend në tjetrin.

Policia e Vlorës tha se ka prova të plota që provojnë përfshirjen e të arrestuarve në marrjen dhe mbajtjen peng të 20-vjecarit, Klajdi Shehu, i cili ishte i afërm i një afaristi të njohur jo vetëm në Vlorë, por edhe në Shqipëri për tregëtinë e çimentos.

Të pesë të arrestuarit janë nga qyteti i Vlorës dhe nga dy fshatra në rrethinat e qytetit. 20-vjecari u zhduk mbrëmjen e së hënës dhe, më pas, në këmbim të lirimit të tij, familjes iu kërkua nga rrëmbyesit një shumë prej një milion dollarësh. Policia e Vlorës u vu në kërkime intensive, ndërkohë që biznesmeni vlonjat vuri në dispozicion një shumë prej 10 milionë dollarësh për lirimin e 20-vjecarit.

Edhe Presidenti i republikës, Alfred Moisiu, u kërkoi organeve policore intesifikimin e veprimeve për gjetjen e të afërmit të afaristit duke shfaqur shqetësimin se cënimi biznesit shqiptar sillte frikë edhe tek investitorët e huaj.

Policia ra në gjurmë të pengmarrësve duke lokalizuar vendndodhjen e tyre pas një telefonate që rrëmbyesit bënë me familjen e 20 vjecarit Shehu.

Mbrëmjen e së premtes rrëmbyesit, të detyruar, e liruan pengun me pranga në duar dhe maskë në kokë, nën presionin e një kërkimi masiv të policisë në zonën periferike të Vlorës.

Ngjarja u përcoll me mjaft intesitet gjatë gjithë kësaj jave edhe për shkak të disa akteve të tjera kërcënuese ndaj biznesit. Një tregëtar i madh i hekurit u vra pak kohë më parë në Tiranë, ndërsa autorët e krimit ende nuk janë zbuluar nga policia. //az//

XS
SM
MD
LG