Lidhje

SHBA i jep Maqedonisë 12.5 milionë dollarë - 2003-04-26


Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes agjensisë ndërkombëtare për Zhvillim, USAID, i dha Maqedonisë edhe pjesën e dytë të grantit prej 12.5 milion dollarë amerikanë, e cila i kushtohet përpjekjeve për shpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe zhvillimit në vecanti të sektorit privat.

Marrëveshja për këtë pjesë të parave, e cila është nënshkruar nga ambasadori amerikan në Shkup Lawrence Butler, përfaqësuesit e agjensisë ndërkombëtare për zhvillim dhe ministri maqedonas i financave Petar Gshev, synon të ndihmojë qeverinë e Maqedonisë në zhvillimin e programit të saj ekonomik si përparësi e programit të përgjithshëm qeveritar për zhvillimin e vendit.

Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për forcimin e sektorit financiar, forcimin e institucioneve kryesore financiare në vend dhe sistemeve financiare dhe institucioneve të sektorit publik. Po kështu, një pjesë e tyre do të shkojnë për ndihmë teknike për shërbime financiare, për të pasur ekspertë cilësore në fushën e makroekonomisë dhe financave, në mënyrë që të përgatitet reagimi I shpejtë në rast nevojash të ndryshme.

Një pjesë e fondit prej 12.5 milion dollarësh pritet të përdoret për institucionet financiare rurale dhe kreditore, për të ndihmuar institucionet kursimore dhe kreditore në riinvestimin në hua për bizneset e vogla në zonat rurale, me synimin që të përmirësohet ekonomia në këto zona.

Ky grant prej 12.5 milion dollarësh parashikon gjithashtu financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, gjë që do tu mundësojë ndërmarrjeve të zgjerojnë prodhimin dhe të hapin vende të reja pune, gjë që konsiderohet mjaft e rëndësishme në kushtet e këtij vendi, me një të tretën e popullsisë të papunë.

Përmes këtij granti, pritet të mbështeten edhe veprimtaritë tregtare në përputhje me rregullat e organizatës botërore të tregtisë. Pjesa e parë e kësaj ndihmë të Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë është dhënë në shtator të vitit të kaluar ndërkohë që e gjithë shuma pritet të përfundojë në Maqedoni deri në shtator të vitit 2005.

E gjithë shuma e parave kushtuar ndihmës për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, përmes agjensisë ndërkombëtare për zhvillim, deri në shtator të vitit 2005, është 26 milion dollarë.//kk//

XS
SM
MD
LG