Lidhje

Banorët e Bathores ndërpresin protestat pas marrëveshjes me qeverinë - 2003-04-26


Komisioni organizator i protestave të Bathores në periferi të Tiranës njoftoi se tubimet e protestes do të ndalen menjëherë, në pritje të zbatimit të marrëveshjes që u arrit të shtunën me qeverinë. Pas pesë orësh bisedime, grupi i punës i qeverisë arriti të nënshkruanjë një marrëveshje me perfaqësuesit e banorëve për përmbushjen e listës së kërkesave të tyre.

Një nga përfaqësuesit e komisionit të protestave, Lazam Troci, thotë se në marrëveshjen e firmosur nga të dyja palët janë vendosur në krah të çdo kërkese edhe afatet kohore që merr përsipër të plotësoje qeveria.

"Protestat do të ndërpriten - tha zoti Troci - dhe banorët janë të gatshëm të bashkepunojnë me specialistët e mezi presin rregullimin e infrastrukturës”.

Ndërkaq, specialistë të qeverisë po studiojnë në detaje problemet e kësaj zone me mbi 40 mije banorë. Drejtori i Tokave në ministrinë e Bujqësisë dhe ushqimit, Bardhyl Qilimi, thotë se në procesin e shndërrimit në troje ndërtimi një pjesë e tokave të kësaj zone kanë edhe konflikte pronësie.

"Ajo çka është pozitive për këtë rast - thote zoti Qilimi - është fakti që nga 361 hektare të sipërfaqes së Bathores, probleme konfliktesh ka vetem në 60 hektarë. Për të saktësuar informacionin po bëhet një përputhje e hartës kadastrale, e cila ka pronësine e tokës, me një fotografim ajror të kësaj zone" - shtoi ai.

Qeveria ka premtuar që brenda dy javësh të shndërrojë këtë tokë bujqesore në një zonë urbane, e brenda dhjetë ditëve të studiojë burimet e ujit të pijshëm dhe projektet e rrugeve kryesore te kesaj zone.

Marrëveshja e së shtunës parashikon mes të tjerash edhe ndërtimin e një shkolle tjetër për fëmijët. Palët janë mirëkuptuar për veshtiresite e ndertimit te nje spitali, por kane rane dakord qe te fuqizohen institucionet shendetesore qe tashme jane te pranishme.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve ruajtjen e qetësisë të nevojshme për studime teknike dhe fillimin e punimeve në terren, dhe mospërsëritjen e skenave të dhunshme të dy ditëve më parë, kur prej gurëve të shumtë të hedhur nga protestuesit u plagosën dhjete pjestarë të forcave të rendit publik.//kk//

XS
SM
MD
LG