Lidhje

Gjenerali Garner takohet me përfaqësues irakianë - 2003-04-27


Delegatët irakianë të mbledhur në Bagdad shprehën mosmarrëveshje të thella rreth rolit që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në procesin e rindërtimit të vendit.

Disa udhëheqës të grupeve irakiane në mërgim thonë se Shtetet e Bashkuara duket të qendrojnë në prapaskenë dhe të lejojnë vetë irakianët të drejtojnë vendin. Mirëpo, përfaqësuesit e grupeve që qendruan në Irak dhe vuajtën nën regjimin bathist, thonë se kërkojnë një rol më të madh drejtues amerikan. Ata thonë se janë të shqetësuar rreth kërcënimeve që paraqesin xhepat e besnikëve të Sadam Huseinit që ende ekzistojnë në vend.

Të dyja palët i shprehën pikëpamjet e tyre gjatë një konference të sotme në Bagdad me zyrtarë amerikanë dhe britanikë. Në komentet e tij, zyrtari amerikan i ngarkuar me procesin e rindërtimit të Irakut të pas luftës, gjenerali në pension, Jay Garner, tha se objektivi i takimit njëditësh ishte fillimi i procesit të demokracisë në Irak.

Gjenerali Garner shkëmbeu pikëpamje me më shumë se 250 delegatë që përfaqësonin grupet fetare suni e shiite, grupet kurde si edhe fiset e vendit.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se një sesion tjetër do të zhvillohet brenda tri javësh në Irakun verior.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve Rojters, një zëdhënës i Kongresit Kombëtar Irakin tha se udhëheqësit e gjashtë fraksioneve irakiane kanë në plan të takohen të mërkurën për diskutime rreth propozimeve të bëra nga gjenerali Garner në konferencën e sotme, si edhe rreth një qendrimi të përbashkët ndaj një qeverie kalimtare të vendit.

Zëdhënësi tha se mes 6 udhëheqësve fraksionistë janë kryetari i Kongresit Kombëtar Irakian, Ahmed Çelebi, Xhelal Talabani i Bashkimit Demokratik të Kurdistanit, Masud Barzani i Partisë Demokratike të Kurdistanit dhe Abdel-Aziz al-Hakim i Këshillit Suprem për Revolucionin Islamike në Irak.

//rd//

XS
SM
MD
LG