Lidhje

Ç'duhet bërë që turizmi amerikan dhe ai ndërkombëtar të rimëkëmben përsëri - 2003-04-27


Ndërsa sindroma e rëndë akute e rrugëve të frymëmarrjes, ose Sarsi, vazhdon të shtojë shqetësimet e njerëzve dhe rindërtimi i Irakut po fillon, udhëtarët amerikanë dhe industria, që u shërben atyre janë duke vëzhguar dhe pritur.

Lufta, sëmundjet, frika e terrorizmit dhe një rënie në ekonominë botërore, thuajse i kanë bllokuar udhëtimet ndërkombëtare. Shumica e shoqërive amerikane të fluturimeve ajrore i kanë pezulluar fluturimet në Azi dhe po i vazhdojnë me orare të reduktuara fluturimet në Lindjen e Mesme.

Shoqëri të tjera ajrore thjesht kanë falimentuar. Për këtë arsye punonjësit e agjencive amerikane të udhëtimeve shpresojnë që këtë verë udhëtimet të kenë një lulëzim të vogël jo shumë larg Shteteve të Bashkuara.

Cathy Pelaez, e agjencisë së udhëtimeve Liberty Travel, e cila ka më se 200 zyra në gjithë rajonin e Nju Jorkut, thotë se gjendja e tanishme ekonomike dhe zhvillimet botërore, po i bëjnë amerikanët që të kenë frikë të bëjnë plane për udhëtime.

“Industria e pushimeve ka mbetur në vend. Mendoj se shumë udhëtarë janë në një gjendje shpirtërore prit-dhe-shiko. Nuk është si pas ngjarjeve të 11 shtatorit, sepse pas 11 shtatorit njerëzit jo vetëm anuluan udhëtimet por as udhëtonin më e as bënin plane për të udhëtuar në të ardhmen. Në gjendjen e tanishme ne nuk shohim atë valën e anulimeve që pamë pas 11 shtatorit, por shohim që njerëzit t’i kenë pezulluar përkohësisht planet për të udhëtuar.”

Disa kompani udhëtimesh, sikurse Kerzner International Resorts, që është pronare e qendrës së pushimeve Atlantis, në Bahamas, e cila ka 2 mijë e 300 dhoma, mendojnë se kanë filluar shenja të një rigjallërimi. Ishujt Bahamas janë 45 minuta larg me aeroplan nga Miami dhe tri orë nga Nju Jorku.

Rënia e turizmit vihet re më shumë në tregun aziatik të udhëtimeve, kryesisht për shkak të sëmundjes Sars, e cila vazhdon të përhapet në rajon.

Louie Yi, kryetar i shoqërisë së udhëtimeve Lotus, me bazë në Seattle, që organizon udhëtime luksoze në Kinë, Kamboxhia dhe Vietnam, thotë se këto lloje udhëtimesh kanë rënë në zero.

“Në 4 deri 6 javët e fundit udhëtimet luksoze janë anuluar në masën 100 përqind. Njerëzit duan të presin e të dëgjojnë në se gjendja në Kinë është nën kontroll, para se të përsërisin rezervimet, dhe të marrin një vendim të ri.”

Ai mendon se njerëzit do të fillojnë të kthehen në Azi vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 6 muaj nga dita kur epidemia do të jetë vënë nën kontroll.

//ze//

XS
SM
MD
LG