Lidhje

Pas përmbysjes së regjimit irakian, del detyra për të ndihmuar popullin irakian që të ndërtojë të ardhmen e tij - 2003-04-27


Tani që forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dhanë fund regjimit brutal të diktatorit irakian, Saddam Hussein, del detyra për të ndihmuar popullin irakian që të ndërtojë të ardhmen e tij. Një administratë e përkohshme, e përbërë nga udhëheqës koalicioni, po mbikqyr këtë proces. Zëvendës-administratori i përkohshëm, gjenerali britanik, Tim Cross, tha se për hir të objektivit përfundimtar, që është liria e popullit irakian, ia vlen të bëhen të gjitha përpjekjet për kapërcimin e vështirësive të së ardhmes:

”Fillimi për ne është i mbarë, thotë ai. Është si një udhëtim. Mendoj, thotë zëvendës-administratori i përkohshëm, se duhet të jemi të hapur përsa i përket një çështjeje: detyra nuk do të jetë e lehtë. Do të bëjmë gabime. Mund të keqkuptojmë, por do të dëgjojmë me vëmendje sugjerimet e popullit irakian”, tha gjenerali Cross.

Disa irakianë ka filluar tashmë të shijojnë lirinë e sapofituar duke zhvilluar demonstrata në të cilat kërkohet që koalicioni të largohet nga Iraku. Por, siç tha administratori i përkohshëm, gjenerali amerikan në pension, Jay Garner, protestat nuk do ta pengojnë koalicionin:

“Aftësia për të demonstruar dhe për të shprehur kundërshtimin tënd dhe zhvillime të tjera si këto përbëjnë hapin e parë të një procesi demokratik, por pa dyshim që ato nuk përbëjnë mendimin e shumicës. Mendoj, thotë administratori i përkohshëm, se shumica e irakianëve janë shumë të fortë dhe nuk kanë qenë aspak armiqsore. Shumica është ende disi e frikësuar. Bashkë me qetësimin e saj, do të vihen re ndjenja më miqsore ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Megjithë protestat, siç u shpreh zëvendës-administratori, është e qartë që shumica e popullit irakian dëshëron një të ardhme demokratike:

”Shpirti i lirisë është i pranishëm në zemrat e irakianëve si tek çdo komb tjetër në botë. Ata do të vendosin për të ardhmen e tyre. Ata do të vendosin për krijimin e një shoqërie demokratike në të cilën duan të jetojnë”.

Ky proces ka filluar. Po zhvillohen mbledhje në mbarë vendin ndërmjet zyrtarëve të koalicionit dhe grupeve të irakianëve në mërgim, ish-figurave të opozitës dhe udhëheqësve fisnorë e fetarë. Ata do të krijojnë një autoritet të përkohshëm që do të qeverisë Irakun deri sa të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

//ze//

XS
SM
MD
LG