Lidhje

Maqedoni: autoritetet spitalore japin alarmin e SARS-it - 2003-04-27


Autoritetet spitalore në Shkup porositën me urgjencë pajisje të posaçme për mbrojtje kundër virusit SARS. Dy mjekë të Klinikës së Infektivit u dërguan letra kryeministrit Cërvenkovski, Ministrit të Shëndetësisë, Selmani, dhe drejtorit të Qendrës Klinike me kërkesë që kjo e fundit të furnizohet me pajisjet e nevojshme mjeksore në mënyrë që mjekët të kenë kushte pune me pacientët që mund të preken nga SARS-i.

Në kërkesën e dy mjekëve thuhet se ekziston rreziku që Maqedonia të përfshihet shumë shpejt në zonën e prekur nga virusi vdekjeprurës SARS dhe u luten autoritetet qeveritare që, për një kohë sa më të shkurtër, madje çështje orësh, të japin përgjigjen se çfarë mjedisesh dhe pajisjesh do të kenë mjekët në dispozicion në mënyrë që të ndërmarrin masa për mbrojtje më të efektshme kundër virusit.

Megjithëse, siç bëhet e ditur, qeveria ende nuk i ka dhënë përgjigje kërkesës së mjekëve, Zëvendësministri i Shëndetësisë në qeverinë e Maqedonisë, ka pohuar se qeveria i ka marrë të gjitha masat e duhura për mbrojtje nga sindromi akut i rrugëve të frymëmarrjes. Ai u tha gazetarëve në Shkup se është dhënë urdhër për shtimin e kontrollit në aeoroporte dhe pika kufitare, ndërsa personat, të cilët vijnë ose kthehen nga shtete apo rajone që njihen si të rrezikshme dhe të prekura nga virusi, duhet t’i nënshtrohen mbikqyrjes së detyrueshme shëndetësore brenda një periudhe dyjavore.

Në bazë të udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, maskat mbojtëse janë të detyrueshme për personelin mjeksor, si dhe personat e sëmurë nga SARS-i, si masë parandaluese për përhapjen e virusit.

Për shkak të paralajmërimit publik, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, ditët e fundit, kanë zhvilluar shpesh mbledhje të jashtëzakonshme, por pa bërë të ditura hollësitë e tyre.

Zyrtarisht, ende nuk është shënuar ndonjë rast me virus SARS në Maqedoni. //az//

XS
SM
MD
LG