Lidhje

Në Irak, dy zyrtarë të lartë janë në duart e forcave të koalicionit - 2003-04-27


Zyrtarë amerikanë thonë se një zyrtar i lartë i çështjeve shkencore në ish regjimin e Irakut dhe kryetari i vetë-shpallur i bashkisë së Bagdadit janë në duart e forcave të koalicionit.

Nuk u mësua menjëherë në se ish shefi i agjencisë kombëtare të vëzhgimit irakian, gjeneral-lejtnanti Hosam Mohamed Amin, u kap apo u dorëzua. Gjenerali Amin ishte numri 49 në listën e 55 irakianëve të kërkuar më shumë dhe ka të ngjarë të ketë informacion rreth programeve të armëve të Sadam Huseinit.

Forcat amerikane kanë arrestuar gjithashtu Mohamed Mohsen al-Zubaidi, një i mërguar irakian, i cili u kthye në Bagdad dhe e shpalli veten kryetar të bashkisë së kryeqytetit. Një zëdhënës i koalicionit u tha gazetarëve se zoti al-Zubaidi u ndalua sot sepse nuk ishte në gjendje të mbështeste koalicionin dhe sepse merte kompetenca që nuk i takonin atij.

Një gazetë britanike pretendon se ka zbuluar dokumenta në Bagdad të cilat tregojnë se Iraku ka patur kontakte të nivelit të ulët me rrjetin terrorist al-Kaida të Osama bin Ladenit më 1998. Sipas gazetës londineze, Sunday Telegraph, dokumentacioni i nxjerrë nga selia e shkatërruar nga bombardimi dhe e plaçkitur e Shërbimeve të Fshehta në Bagdad tregon se një i dërguar i posaçëm i al-Kaidës nga Sudani ishte ftuar në Irak në mars të vitit 1998 për të biseduar për krijimin e lidhjeve më të ngushta.

Provat që thuhet se janë gjetur, të cilat nuk janë verifikuar menjëherë nga burime të pavarura, ranë në duart e një gazetari të Sunday Telegraph-it, njoftoi gazeta.

Po sipas Sunday Telegraphit, në dokumenta të tjera, ishte gjetur një shënim në të cilin kërkohej të organizohej një takim ndërmjet zyrtarëve irakianë dhe vetë Osama bin ladenit. Edhe në këtë rast, autenticiteti i këtij informacioni nuk është përcaktuar.

Gazeta tha gjithashtu se gazetari i saj nuk ka zbuluar asnjë provë që vërteton se një takim i tillë është zhvilluar konkretisht.

Në muajt para shpërthimit të luftës në Irak, Shtëpia e Bardhë, në mënyrë të përsëritur ngulte këmbë se ekzistonin lidhje ndërmjet regjimit të Sadam Huseinit në Irak dhe al-Kaidës së Osama bin Ladenit.

//az//

XS
SM
MD
LG