Lidhje

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës mer në pyetje Sabit Gecin në burgun e Dubravës - 2003-04-27


Hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare për krime luftë në Hagë, kanë marrë sot në pyetje në burgun e Dubravës, në Kosovën perëndimore, Sabit Gecin, një pjestarë të burgosur të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk bënë asnjë koment lidhur me këtë rast, avokati i zotit Geci, tha se, ai është marrë në pyetje në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj, i cili aktualisht ndodhet në Gjykatën e Hagës në pritje të fillimit të gjyqit.

Sabit Geci, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte një personalitet i rëndësishme i Ushtisë Çlirimtare në rajonin e Drenicës në Kosovën Qendrore u dënuar në vitin 2001 me pesë vjet heqje lirie nën akuzat për veprime kriminale pas përfundimit të konfliktit.

Avokati i tij tha se hetuesit e Gjykatës së Hagës kanë kërkuar nga zoti Geci që të dëshmojë në gjyqin kundër zotit Limaj, por sipas tij ai e ka refuzuar një gjë të tillë.

Ndërkohë, zyrtarë të forcave paqëruajtëse amerikane në Kosovë, njoftuan se një ushtar i tyre është gjetur i vdekur në mëngjesin e ditës së sotme.

Shërbimi për informim i këtyre trupave ne kampin “Bondsteel” në Kosovën Lindore, sektor ky i kontrolluar nga forcat amerikane, thanë se trupi i pajetë i ushtarit është gjetur në afërsi të fshatit Doberçan të komunës së Gjilanit, rreth 50 kilometra në lindje të Prishtinës.

Mirëpo, tash për tash, ata nuk kanë dhënë asnjë hollësi mbi shkaqet e mundshme të vdekjes së ushtarit. Policia ushtarake thuhet se po zhvillon hetime të ngjeshura, ndërsa nuk është bërë i ditur as identiteti i ushtarit të vdekur.

Mbi tre mijë trupa amerikane shërbejnë në kuadër të forcave paqërujatëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, që aktualisht numërojnë rreth 30 mijë trupa. Që nga 12 qershori i vitit 1999 kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare, mbi 70 pjestarë të KFOR-it kanë humbur jetën në incidente e aksidente të ndryshme gjithandej Kosovës.

//ss//

XS
SM
MD
LG