Lidhje

A do të përfshihen ekstremistët fetar në qeverinë e ardhshme të Irakut? - 2003-04-28


Myslimanët shiitë përbëjnë 60 për qind të popullsisë së Irakut. Ky fakt ka ngjallur debatin se mos qeverisja e ardhshme atje do të jetë një teokraci islamike.

Regjimi i përmbysur i Saddam Husseinit drejtohej nga partia laike Baath dhe mbizotërohej nga myslimanët Sunni të Irakut, që përbëjnë pakicën. Për dekada me radhë, regjimi e shtypi lirinë fetare të popullsisë myslimane shiite të vendit, që përbën shumicën.

Profesori i Universitetit të Virxhinias Abdulaziz Sachedina thotë se kjo gjendje i ka hapur rrugën asaj që ai e quan një alternativë e mundshme islamike ndaj laicizmit. “Për 30 vjet laicizmi tek ne ka patur formën e qeverisë Bathiste. Kjo ideologji mizore ka shkelur të drejtat e popullit, të grave, pakicave, apo cilitdo tjetër”, thotë ai.

Në një konferencë që u zhvillua kohët e fundit në Washington, e cila përqëndrohej tek roli i grave në rindërtimin e Irakut, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për çështjen e fesë dhe qeverisë.

Sanam Andrelini, i organizatës “Gratë që Bëjnë Paqen” bënë thirrje për një udhëheqje kolektive, ku të përfshihen edhe ekstremistët islamikë. “Është e thjeshtë të predikosh çfarë të duash në mënyrë ekstremiste, nëse vetë nuk ke interesa. Por nëse u kërkon mendimin, i pyet se çfarë do të bëhet për rimëkëmbjen ekonomike, si do të kujdesemi për mirëqenien e fëmijëve, të paktën ata do të kenë rastin ta thonë mendimin e tyre, do të marrin pjesë në bisedime, pra në këtë mënyrë të paktën do të jepet rasti për t’i njohur ata. ”, thotë zonja Anderlini.

Por irakiani në mërgim, Rakiah Al-Kayssi i Shoqatës së Juristëve Irakianë, me bazë në Londër, e hedh poshtë pa mëdyshje idenë se ekstremistët fetare mund të luajnë ndonjë rol në një qeveri të ardhshme demokratike në Irak. “Ata kanë aftësinë t’i mobilizojnë njerëzit dhe kur marrin pushtetin, e vrasin demokracinë. Dhe kështu ata do mbeten në pushtet”, thotë zoti al-Kayssi.

Dje, në televizionin amerikan NBC, Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Marwan Muasher nuk u dha aq shumë rëndësi shqetësimeve se mos qeveria e ardhshme e Irakut mbizotërohet nga ekstremistët islamikë. Por ai e vuri theksin tek ngjashmëria me vendin e tij.

“Në Jordani, ne kemi një forcë politike islamike që është shumë aktive. Ata janë pjesë e spektrit politik të vendit, por nuk e kontrollojnë atë. Por unë mendoj se do të ishte e gabuar të përjashtohej ndokush nga shoqëria e Irakut. Islamikët në Irak janë të fuqishëm. Atyre u dëgjohet zëri. Por zëri u dëgjohet edhe të tjerëve, prandaj është shumë e rëndësishme të flitet për një qeveri dhe shoqëri gjithëpërfshirëse, sesa një qeveri dhe shoqëri që do të përjashtonte përfaqësuesit grupeve të tjerë ”, tha ai.

Në një intervistë për televizionin NBC, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara duan që në Irak të ketë një qeveri laike: “Unë do të doja që atje të kishte një qeveri, ku kisha dhe shteti të jenë të ndara. Dhe besoj se shumë njerëz në Irak do ta donin një gjë të tillë; ndoshta një qeveri nacionaliste, që respekton me të vërtetë historinë e Irakut, traditat e Irakut dhe vetë Irakun. Por duhet gjithashtu që kjo qeveri të përfaqësojë gjithë popullin. Dhe unë besoj se një gjë e tillë mund të realizohet”, tha Presidenti Bush.

Zyrtarët amerikanë e kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë që vetë irakianët të qeverisin vendin e tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG