Lidhje

Powell: Natoja po ndërmerr një detyrë të re - 2003-04-29


Natoja u krijua fillimisht për mbrojtjen e Evropës Perëndimore nga rreziku që përbënte Bashkimi Sovjetik. Por me përfundimin e Luftës së Ftohtë, Natoja ka qenë e hapur për anëtarësim për vendet e ish-Bllokut Sovjetik. Ajo ka drejtuar misione të suksesshme paqeruajtëse në Bosnjë, Maqedoni dhe Kosovë. Tani, siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, Natoja po ndërmerr një detyrë të re:

“Në gusht, Natoja do të marrë përsipër drejtimin e Forcës Ndihmëse për Sigurim Ndërkombëtar në Kabul të Afganistanit. Para dhjetë vjetësh kur ne, thotë Sekretari Pauëll, filluam të mendonim se cili do të ishte fati i Natos, nëse do të kishte një rol për të dhe nëse Nato mund të mendonte të shtrihej, ne mendonim pikërisht nëse ajo mund të shtrihej përreth zonës së saj tradicionale. Askush nuk mund ta parashikonte atëherë që Natoja do të përshkonte gjysmën e globit dhe do të shkonte në për misione paqeruajtëse në një vend të tillë si Afganistani”, thotë Sekretari Pauëll.

Vendet-anëtare të Natos kanë kontribuar në operacione të ndryshme në Kabul, por shumica e trupave kanë marë pjesë në forcën e sigurimit. Marrja zyrtarisht e përgjegjësisë nga ana e Natos për sigurimin në kryeqytetin afgan do të jetë misioni i parë ushtarak i rëndësishëm i organizatës jashtë Evropës. Ajo do të veprojë në Afganistan nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, thotë se vendimi i Natos është shenjë e drejtimit të ri të aleancës dhe vë theksin tek ballafaqimi i kërcënimeve nga terrorizmi e armët e shkatërrimit në masë prej ngado që ato vijnë.

Afganistani ishte fushëbeteja e parë në luftën kundër terrorizmit global. Në Afganistan, regjimi ekstremist taleban u përmbys nga pushteti dhe kampet e al-Qaidës për stërvitjen e terroristëve janë mbyllur. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndihmoi afganët të çlironin vendin e tyre; tani Nato po ndihmon Afganistanin për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë.

//ZE//

XS
SM
MD
LG