Lidhje

Grupe politike irakiane diskutojnë mbi një qeveri të përkohshme për vendin e tyre - 2003-04-29


Më shumë se 300 përfaqësues të grupeve irakiane u takuan dje në Bagdad për të diskutuar lidhur me të ardhmen politike të vendit të tyre. Ata nuk ranë dakord se çfarë roli duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në rindërtimin e Irakut, por delegatët vendosën të takohen përsëri brënda një muaji për tu përpjekur të krijojnë një qeveri të përkohshme.

Mbi 300 delegatë morën pjesë në konferencën, që zgjati gjithë ditën. Ata përfaqësonin një gamë të gjerë të fraksioneve politike si nga jashtë ashtu edhe nga brënda Irakut. Mes tyre bënin pjesë edhe përfaqësues të shumë partive politike të jashtëligjësuara nga regjimi i Sadam Huseinit, të kurdëve në veri, klerikëve myslimanë, kryetarëve të fiseve si dhe pak gra.

Delegatët debatuan çdo gjë, duke filluar nga forma e qeverisë së ardhshme deri tek roli që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në zhvillimin e Irakut. Pati gjithashtu divergjenca lidhur me rolin e të mërguarve irakianë, të cilët janë kthyer në Irak në përpjekje për të krijuar një qeveri të re.

Një prej delegatëve, Hatem Mukhlis, përfaqësues i Lëvizjes Kombëtare Irakiane, tha se përparësia kryesore e diskutimeve ishte nevoja urgjente për të vendosur qëndrueshmërinë dhe sigurimin në Irakun e pas luftës.

“Qëndrueshmëria, sigurimi, kthimi i njerzve në punë dhe pagimi i rrogave.”

Në përfundim të takimit, delegatët ranë dakord të mbajnë një kongres të përgjithshëm brënda 4 javësh për të përcaktuar disa rregulla për organizimin e një qeverie kalimtare. Ky është takimi i dytë i tillë këtë muaj. I pari u mbajt në Irakun jugor.

Takimi i djeshëm në Bagdad përkoi me 66 vjetorin e lindjes së Sadam Huseinit. Takimi zhvillohet vetëm 3 javë që prej përfundimit të luftës, që e përmbysi atë nga pushteti.

Në këtë ditë që në të kaluarën do të ishte e mbushur me parada pro Sadam Huseinit, irakianët, përkundrazi, e kaluan ditën në debate të zhvilluara lirisht mbi të ardhmen e vendit pa ish udhëheqësin irakian, në atë që një zyrtar i lartë i koalicionit e cilësoi si fazat e para të demokracisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG