Lidhje

Arrestohet pronarja e skemës më të madhe piramidale në Manastir - 2003-04-29


Sot në Shkup u arrestua Sonja Nikollovska, pronare e një skeme piramidale në qytetin e Manastirit, e cila mashtroi qindra njerëz dhe u bllokoi atyre mbi 50 milionë dollarë deri kur u mbyll në vitin ’97. Zonja Nikollovska ka thënë më herët se në këtë veprimtari ishin pëfshirë edhe gjykatës dhe prokurorë të cilët e kishin dënuar më pas atë.

Ish-pronarja e bankës private të kursimeve TAT, Sonja Nikollovska është arrestuar sot herët në Shkup dhe është dërguar në burgun hetimor të qytetit. Banka e kursimeve TAT në Manastir ishte në fakt skema më e madhe piramidale në Maqedoni që mashtroi qindra vetë dhe u bllokoi mbi 50 milionë dollarë para gjashtë vjetësh. Kundër zonjës Nikollovska ishte shpallur fletëarrest ndërkombëtar, ndërkohë që ajo fshihej në Shkup, tek miqt e saj në një banesë private, sipas burimeve të policisë.

Avokati i zonjës Nikollovska para disa ditësh u tha mjeteve të informimit se klientja e tij nuk i ikën dënimit por kërkon një proces të ri gjyqësor se gjykimi në Manastir ishte bërë mbi motive dhe interesa personale të gjykatësve, një numër i konsiderueshëm i të cilëve sikundër edhe prokurorë ishin përfshirë në shkatërrimin e bankës së kursimeve, sipas avokatit.

Skema piramidale TAT në qytetin jugor të Manastirit, pronë e zonjës Sonja Nikollovska ishte skema më e madhe piramidale në Maqedoni, e cila u rrëzua në vitin 1997. Ende kanë mbetur shumë gjëra të paqarta rreth kësaj skeme ndërsa spekullimet se zyrtarë të lartë qeveritarë ishin ndërlikuar në të nuk u provuan asnjëherë.

Në një zhvillim tjetër, komandanti i forcave evropiane Konkordia në Maqedoni, gjenerali francez Jean Pierre Maral vizitoi sot fshatin Tanushë në veri të Shkupit, në kufi me Kosovën, për tu njohur me problemet e banorëve të kësaj zone të thellë malore. Gjenerali Maral u bind se problemi me energjinë elektrike ekziston dhe se do një zgjidhje të shpejtë, ndërsa banorët e njoftuan atë me kërkesat për largimin e postblloqeve ushtarake maqedonase për të lehtësuar qarkullimin e tyre drejt kryeqytetit.

Banorët e këtij fshati kanë kërcënuar se nuk do t’u binden urdhërave dhe institucioneve shtetërore nëse nuk plotësoheshin kërkesat e tyre, por qeveria e Shkupit ka filluar zgjidhjen e problemeve administrative si çështja e dokumentacionit me instalimin e një zyre vendi në fshat dhe me përgatitjet për hapjen e një pike të re kufitare midis Tanushës dhe Debëlldesë në Kosovë.

Fshati Tanushë mbahet mend si vendbanimi i parë ku filloi konflikti i armatosur në vitin 2001.

//rd//

XS
SM
MD
LG