Lidhje

Ushtarët amerikan hapin zjarr mbi demonstruesit irakianë, 13 të vrarë - 2003-04-29


Zyrtarë të një spitali irakian thanë se të paktën 13 veta u vranë dhe 75 u plagosën kur trupat e Shteteve të Bashkuara qëlluan mbi një grup demonstruesish antiamerikanë në qytetin Falluja.

Zyrtarë amerikanë e konfirmuan incidentin që ndodhi mbrëmë në këtë qytet 50 kilometra në perëndim të Bagdatit por thanë se ushtarët amerikanë iu përgjigjën zjarrit pasi ishin qëlluar nga një grup irakianësh të armatosur.

Dëshmitarë irakianë në qytetin Falluja thanë se të shtënat ndodhën gjatë një demonstrate pranë një shkolle e cila përdoret nga forcat amerikane.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë thonë se ish ministri irakian i naftës, Amir Rashid Muhamad al-Ubaydi iu dorëzua forcave të koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë të Komandës Qendrore Amerikane thuhet se zoti Rashid u dorëzua dje dhe po mbahet nën arrestin e forcave të koalicionit.

Ai ishte numri 47 në listën e 55 anëtarëve më të kërkuar të regjimit të rrëzuar të Saddam Husseinit.

Zoti Rashid ka luajtur rol në prodhimin e raketave irakiane dhe është i martuar me doktoren Rihab Taha, e cila kryesonte programin irakian të armëve biologjike dhe ende kërkohet nga forcat e koalicionit.

//rd//

XS
SM
MD
LG