Lidhje

Shtetet e Bashkuara po u japin fund operacioneve ushtarake në Arabinë Saudite - 2003-04-29


Shtetet e Bashkuara po u japin fund operacioneve ushtarake në Arabinë Saudite dhe po i largojnë thuajse të gjitha forcat amerikane nga ai vend.

Ky njoftim u bë sot, gjatë një takimi në Arabinë Saudite midis Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhe homologut të tij saudit, Princi Sulltan. Zyrtarë amerikanë dhe sauditë thanë se vendimi për të larguar forcat amerikane nga Arabia Saudite është marrë me pëlqimin e të dyja palëve.

Shtetet e Bashkuara i kanë përdorur bazat në Arabinë Saudite gjatë luftës së vitit 1991 për të detyruar forcat irakiane të largohen nga Kuvajti. Avionët amerikanë përdoren bazat suadite edhe për të patrulluar zonat e ndalim fluturimit mbi Irak.

Mirëpo, zyrtarët sauditë nuk pranuan të jepnin leje avionëve amerikan të përdornin bazat e tyre për të sulmuar Irakun gjatë luftës së fundit kundër regjimit të Sadam Huseinit. Sekretari Rumsfeld tha se tani që Iraku nuk përbën më kërcënim për rajonin, Shtetet e Bashkuara do ta pakësojnë praninë e tyre ushtarake në Gjirin Persik. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite do ta vazhdojnë bashkëpunimin ushtarak në firmën e stërvitjeve dhe të manovrave të përbashkëta.

Shtetet e Bashkuara do ta transferojnë qendrën e operacioneve të tyre ajrore të Lindjes së Mesme nga Arabia Saudite në një bazë në Katar. Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se pothuajse të gjithë avionët luftarakë dhe anëtarët e personelit ushtarak do të largohen nga Arabia Saudite nga fundi i kësaj vere.

//rd//

XS
SM
MD
LG