Lidhje

Nano: Sekretari Powell të dekorohet me urdhërin Gjergj Kastriot Skënderbeu - 2003-04-30


Kryeministri Fatos Nano i ka propozuar presidentit të Republikës, Alfred Moisiu dekorimin e Sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powell me urdhërin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga dekoratat më të larta të vendit.

Nderimi ndaj sekretarit amerikan, sipas motivacionit, lidhet me “kontributin e tij në mbështetje të demokracive të reja, për zgjerimin e Natos duke përfshirë edhe Shqipërinë si dhe për vëmendjen e tij personale dhe mbështetjen entuziaste ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u bërë një shoqëri e vërtetë demokratike".

Sekretari Powell pritet të vizitojë Tiranën pas dy ditësh, ku do të nënshkruajë me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë kartën e Adriatikut, marrëveshjes së partneritetit për anëtarësim në Nato, marrëveshje e cila ishte parashikuar të realizohej në Uashington.

Sekretari amerikan i Shtetit do të qëndroj për më shumë se katër orë gjatë të cilave ai do të takohet me autoritetet më të larta të vendit. Me kryeministrin Fatos Nano ai do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe në lidhje me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare angazhohet të mos dorëzojë në këtë Gjykatë asnjë shtetas amerikan pa patur më parë miratimin e qeverisë amerikane.

//rd//

XS
SM
MD
LG