Lidhje

Shkup: Parlamnti maqedonas debaton një projektligj që ndryshon një nen të kushtetutës - 2003-04-30


Disa komisione të parlamentit të Maqedonisë po debatojnë sot në lidhje me një projektligj të propozuar nga qeveria, sipas të cilit duhet të ndryshohet një nen i kushtetutës për të lejuar përgjimin e një numri personash, veçanërisht në lidhje me hetimet që bëhen për krimin e organizuar.

Qeveria ka miratuar një projektligj në të cilin përcaktohen kushtet dhe procedurat për vëzhgimin e komunikimit midis njerëzve. Qeveria ka kërkuar ndryshimin e nenit 17 të amendamentit 19 të kushtetutës së vendit, i cili i referohet nevojës për një ligj i cili do të përshkruante kushtet dhe procedurën për përgjimin e bisedave. Zëdhënësi i qeverisë, Sasho Çollakovski, ka thënë se ndryshimet përcaktojnë kushtet dhe procedurat për kufizimin e komunikimit si dicka private, secrete, si dhe mënyrën për mbajtjen dhe përdorimin e të dhënave të marra.

Zoti Çollakovski ka thënë gjithashtu se qëllimi i këtyre ndryshimeve është që të balancojë interesin publik me atë privat. Projektligji i miratuar nga qeveria, i cili praktikisht kërkon legalizimin e përgjimeve, duke pasur mbështetje ligjore për këtë, duhet të kalojë për miratim në parlamentin e vendit. Sipas zyrtarëve, synimi i këtij ndryshimi është forcimi i luftës kundër krimit të organizuar. Ky është një nga projektligjet më të ndjeshme që lidhet direct me të drejtën e fshehtësisë së bisedave apo komunikimit sic quhet nga zyrtarët në Shkup dhe do të pritet të shihet se si do të përkufizohet qartë përdorimi i tij për të mos prekur të drejtat dhe liritë e qytetarëve në këtë fushë.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, delegacionet e kishës ortodokse maqedonase dhe të kishës serbe, takohen sot në Beograd në një përpjekje për të sheshuar qëndrimet e ndryshme në lidhje me statusin e kishës ortodokse të Maqedonisë. Ky është takimi i parë i përfaqësuesve të kishave të Maqedonisë dhe Serbisë, pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për këtë problem të hapur. Kisha ortodokse serbe vendosi emërimin e peshkopit Jovan si përfaqësues i kishës serbe në Maqedoni ndërkohë që kisha ortodokse në Maqedoni synon statusin e autoqefalisë së saj. Kisha serbe nuk e njeh kishës ortodokse në Maqedoni si autoqefale.Delegacioni maqedonas në bisedimet e sotme përfaqësohet nga peshkopi Petar i dioqezës së Prespës dhe Pellagonisë dhe peshkopi Timotej i dioqezës së Dibrës dhe Kërçovës. Ende nuk janë dhënë hollësi për atë se çfarë do të bisedohet konkretisht sot në Beograd midis përfaqësuesve të të dy kishave ndërkohë që besohet se bisedimet do të përqëndrohen në konsultimet për qëndrimin e kishës serbe.

//ss//

XS
SM
MD
LG