Lidhje

Gjendja e epidemisë SARS, ende e rëndë në kryeqytetin kinez - 2003-04-30


Kryetari i ri i Bashkisë së Pekinit thotë se spitalet dhe personeli mjekësor i qytetit janë sforcuar së tepërmi dhe mezi po e përballojnë përhapjen e epidemisë SARS, që i ngjan gripit.

Uang Kishan u tha sot gazetarëve në kryeqytetin kinez, se gjendja është kaq e rëndë, saqë spitalet e caktuara për trajtimin e rasteve të SARS-it, nuk kanë një numër të mjaftueshëm shtretërish për pacientët e prekur nga epidemia. Ai tha se mungesa e shtretërve ka bërë që disa pacientëve të mos u bëhet trajtimi i nevojshëm mjekësor.

Zoti Uang u caktua në postin e Kryetarit të Bashkisë së Pekinit në fillim të muajit prill, kur paraardhësi i tij u detyrua të jepte dorëheqjen, pas akuzuave se e kishte trajtuar jo siç duhet krizën.

Në Pekin, numri i të vdekurve nga SARS-i ka arritur shifrën e 75 vetëve dhe vetëm sot janë raportuar 9 vdekje të reja. Numri i të vdekurve në Kinë ka arritur në 159 vetë.

Hong Kongu njoftoi raste të reja të viktimave të SARS-it, duke e çuar numrin e të vdekurve në këtë vend në 157 vetë. Edhe Tajvani njoftoi për dy vdekje të reja, duke e çuar numrin e viktimave në 3 vetë.

Numri i të vdekurve nga SARS-i në të gjithë botën ka arritur në 375 vetë dhe numri i personave të infektuar është 5 mijë e 400 vetë.

Uashington Post: shkencëtarët amerikanë po punojnë për një vaksinë kundër SARS-it

Gazeta Uashington Post njoftonte në numrin e saj të së mërkurës se shkencëtarët e qeverisë amerikane po punojnë për krijimin e një vaksine kundër virusit SARS, në përpjekje për të qenë të përgatitur nëse sëmundja kthehet në një epidemi mbarë botërore që do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara.

Gazeta njofton se në krye të përpjekjeve për zbulimin e një kure ose të masave parandaluese janë Institutet Kombëtare të Shëndetësisë.

Sipas gazetës shkencëtarët thonë se një vaksinë kundër virusit SARS mund të krijohet brenda një periudhe 1 deri 3 vjeçare. Veç kësaj mund të zhvillohen kura të ndryshme për të ndihmuar personat e infektuar nga ky virus.

Shqipëria merr masa kundër SARS-it

Në Shqipëri po forcohen gjithnjë e më tepër masat e kontrollit ndaj sëmundjes SARS. Deri më tani nuk është rregjistruar asnjë rast i dyshimtë, por autoritetet e shëndetësisë po mbajnë nën mbikqyrje të gjithë pikat e kalimit kufitar të atij tokësor ashtu dhe në porte e aeroporte. Personelit mjekësor dhe atij të shërbimit u janë shpërndarë maska që përdoren gjatë kontakteve me udhëtarët.

Një vëmendje e posacme po i kushtohet aeroportit të vetëm të vendit “Nënë Tereza”, ku janë ngritur edhe dy dhoma izolimi. Të gjithë udhëtarët merren në pyetje për të treguar vendin prej nga ata kanë ardhur. Kontroll më i rreptë ushtrohet ndaj atyre që vijnë nga zonat e konsideruara tashmë të rrezikshme ku ka një prani të sëmundjes, veçanërisht ndaj tregëtarëve që kanë aktivitet me vendet aziatike. Ata janë të detyruar të plotësojnë një formular të posaçëm të hartuar sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. //kk//

XS
SM
MD
LG