Lidhje

Sekretari Ramsfeld viziton Bagdatin - 2003-04-30


Sekretari amerikan i Mbrojtes Donals Rumsfeld, gjatë vizitës së tij të parë në Bagdat që pas përmbysjes së Sadam Huseinit, u tha sot banorëve të Irakut se Shtetet e Bashkuara synojnë t’ua japin atyre kontrollin e vendit sa më shpejt.

Në një mesazh të regjistruar për Irakun, zoti Rumsfeld thotë se vendet e koalicionit janë të angazhuara të realizojnë kalimin e Irakut nga tirania, në liri dhe në vetë-qeverisje. Mesazhi i sekretarit Rumsfeld ishte regjistruar në një nga sallat e zbukuruara të ish pallateve presidenciale të Sadam Huseinit.

Zoti Rumsfeld vizitoi trupat amerikane dhe ato të vendeve të tjera dhe zhvilloi një takim me gjeneralin në pension Xhei Garner i cili administron rindërtimin e Irakut.

Të martën sekretari Rumsfeld ishte në Arabinë Saudite ku u takua me homologun e tij saudit, Princin Sulltan. Sekretari Rumsfeld njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të largojnë nga Arabia Saudite pothuajse të gjithë personelin ushtarak.

Incident tjetër me të shtëna në Bagdat

Trupat amerikane po akuzohen për hapje zjarri dhe vrasjen e disa protestuesve në një qytet të vogël të Irakut për herë të dytë në tri ditët e fundit. Dëshmitarët thonë se të paktën dy vetë u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën sot gjatë një incidenti në qytetin Falluxha, rreth 50 kilometra në perëndim të Bagdatit.

Komanda Qendrore amerikane thotë se trupat hapën zjarr pasi banorë civilë irakianë qëlluan me gurë dhe hapën zjarr ndaj një autokolone ushtarake amerikane. banorë të qytetit thonë se ata nuk panë dhe nuk dëguan ndonjë të shtënë që të vinte nga protestuesit.

Dje gjatë një përleshje tjetër midis protestuesve dhe trupave amerikane po në këtë qytet, la tëpaktën 13 persona të vrarë. Incidenti i sotëm ndodhi pas grumbullimit të një grupi demonstruesish të mbledhur para një komande amerikane për të protestuar ndaj incidentit të djeshëm. Dëshmitarët thonë se trupat amerkane hapën zjarr ndaj protestuesve pasi u qëlluan prej tyre me gurë. Zyrtarë të ushtrisë amerikane thonë se ushtarët hapën zjarr pasi u qëlluan më parë me armë nga turma. Qyteti Falluxha njihet si një prej qendrave ku presidenti i përmbysur Sadam Husein gëzonte mbështetje të madhe.

//rd//

XS
SM
MD
LG