Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi terrorizmin në botë - 2003-04-30


Departamenti i Shtetit, bëri sot publik raportin e përvitshëm mbi terrorizmin në botë, ku theksohet se numri i sulmeve terroriste u ul ndjeshëm vitin e kaluar, në sajë të bashkëpunimit dhe vendosmërisë ndërkombëtare në rritje. Shtatë vende: Kuba, Irani, Iraku, Libia, Koreja e Veriut, Siria dhe Sudani ishin radhitur përsëri si shtete që mbështesin terrorizmin, megjithëse Iraku mund të dalë shpejt nga lista.

Departamenti i Shtetit thotë se vitin e kaluar u bënë 199 sulme terroriste, 44 për qind më pak se në vitin 2001 dhe shifra më e ulët prej më shumë se 30 vjetësh.

725 vdekje iu atribuan terrorizmit, numër ky jashtëzakonisht më i ulët sesa ai prej 3 mijë e 300 i vitit të mëparshëm, ku bënin pjesë edhe viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Sulmi që shkaktoi më shumë viktima vitin e kaluar ishte shpërthimi me makinë bombë shtatorin e kaluar në një zonë turistike në Bali të Indonezisë, si pasojë e të cilit u vranë më shumë se 200 vetë.

Duke paraqitur raportin në një konferencë shtypi, Sekretari i Shtetit Colin Powell tha se nuk ka dyshim që rritja e vigjilencës, e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sanksionet financiare të Kombeve të Bashkuara, pas 11 shtatorit, po ia bëjnë jetën më të vështirë terroristëve. “Është më e vështirë për terroristët që të fshihen, strehohen, si edhe të organizohen dhe të mbështesin financiarisht operacionet e tyre. Bazat terroriste janë shkatërruar, rrjeteve u janë shkëputur lidhjet dhe komplotet e tyre janë zbuluar. Organizatave terroriste u janë ndërprerë burimet financiare. Që nga 11 shtatori janë ngrirë mbi 134 milionë dollarë nga pasuritë e terroristëve. Në gjithë botën, vendet kanë forcuar masat e sigurisë në kufij dhe i kanë ruajtur më mirë infrastrukturat jetike”, tha zoti Powell.

Ai shtoi se çlirimi i Irakut nga forcat amerikane e ka çliruar botën nga “kombinimi me fuqi katastrofike” i një regjimi të papërgjegjshëm, armëve të shkatërrimit në masë dhe terroristëve.

Ai shprehu shpresën se Iraku, që do të hiqet së shpejti nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin e Departamentit të Shtetit, mund të bëhet shembull i një shteti që në vend që të paraqesë një kërcënim, kontribuon për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në raport, Irani radhitej si vendi më aktiv mes atyre që mbështetësin terrorizmin. Sipas tij, Garda Revolucionare e Iranit dhe Ministria e Shërbimit Sekret kanë luajtur rol në planifikimin dhe mbështetjen e akteve terroriste, ndërsa udhëheqësit e vendit vazhdojnë të mbështesin grupet që janë kundër përpjekjeve për paqe në Lindjen e Mesme.

Siria, në të cilën Sekretari i Shtetit do të shkojë gjatë kësaj jave, përmendej pasi atje kanë zyrat fraksione radikale palestineze. Koordinatori i Departamentit të Shtetit për kundërterrorizmit, Cofer Black thotë se Departamenti i Shtetit nuk e pranon argumentin e Sirisë se ky vend mbështet vetëm aktivitetet politike të radikalëve.

“Ne nuk e pranojmë këtë argument. Siria lejon furnizimin e Hezbollahut përmes territorit të saj dhe hodhi poshtë një kërkesë amerikane për të mbyllur zyrat e Xhihadit Islamik palestinez. Por ka edhe gjëra të mira. Siria i dënoi menjëherë sulmet e 11 shtatorit dhe ka dhënë informacione për al-Kaidën që ka ndihmuar për të shpëtuar jetë amerikanësh. Megjithatë ne e bëjmë të qartë se ne do të pranojmë vetëm bashkëpunim të plotë kundër të gjitha grupeve terroriste”, tha zoti Black.

Megjithëse Sudani dhe Libia kanë mbetur në listë, në raport thuhet se ato kanë bërë disa përparime. Zoti Black tha se al-Qaida po fshihet, ndërsa një e treta e udhëheqësve të saj është vrarë, apo kapur, por ai shtoi se organizata ende po planifikon sulme dhe kërcënimet e saj duhet të shihen me “seriozitetin më të madh”.

//rd//

XS
SM
MD
LG