Lidhje

Cili do të ishte roli i OKBsë në Irakun e pasluftës? - 2003-05-01


Me përfundimin e operacioneve ushtarake në Irak, vëmendja përsëri është përqëndruar tek Kombet e Bashkuara. Këshilli i Sigurimit ka qenë skenë e debateve të ashpra para shpërthimit të luftës. Tani që ky debat ka përfunduar, shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjë Këshilli i Sigurimit me Irakun dhe cili do të ishte roli i Kombeve të Bashkuara në Irakun e pas luftës?

Lufta mund të ketë marrë fund në Irak, por në Kombet e Bashkuara disa gjëra ende nuk kanë ndryshuar. Sanksionet ndaj Irakut vazhdojnë të mbeten në fuqi, megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e tyre. Për këtë arsye programi ”Naftë për Ushqime”, sipas të cilit nafta irakiane shitet në këmbim të ushqimeve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për Irakun, vazhdon të mbetet në fuqi.

Arsyeja, për këtë, thonë analistët, është se plagët e thella që u hapën nga debati i ashpër në Këshillin e Sigurimit në lidhje me fillimin e ndërhyrjes ushtarake në Irak, po u japin ngjyrën edhe diskutimeve të pas luftës.

Dje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anann, u bëri thirrje shteteve anëtare t’i lenë mënjanë mosmarrëveshjet për hir të rindërtimit të Irakut.

"Këshilli i Sigurimit tani ka rastin t’i lerë mënjanë mosmarrëveshjet e mëparshme dhe të bashkohet në një qëndrim unik, gjatë fazës së pas luftës në Irak", tha zoti Annan.

Jonathan Tepperman, redaktor përgjegjës i Revistës për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se shtetet që e kundërshtuan veprimin ushtarak amerikan ndaj Irakut po përpiqen të shfrytëzojnë heqjen e sanksioneve të OKB-së, si një mënyrë për të rifituar ndikimin politik.

”Në Këshillin e Sigurimit dhe në Kombet e Bashkuara, sanksionet ndaj Irakut dhe programi ”Naftë-për Ushqime”, po shfrytëzohen nga vendet që e kundërshtuan ndërhyrjen e vetme të Shteteve të Bashkuara në Irak, për të rifituar ndikimin e tyre politik dhe ritheksimin e influencës së tyre. Natyrisht, që këtu kam parasysh Rusinë dhe Francën”-thotë zoti Tepperman.

Fuqitë evropiane gjithashtu kanë bërë thirrje për një rol të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara në Irakun e pas luftës. Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord që këto vende të luajnë një rol jetik. Por mbetet e paqartë se çdo të thotë rol jetik në kontekstin e dyshes Amerikë-Irak. Administrata e presidentit Bush ka lënë të kuptohet se Kombet e Bashkuara do të kenë një rol të fuqishëm humanitar në rindërtimin e Irakut, por jo një rol politik. Në frontin politik, Shtetet e Bashkuara duket se duan të luajnë rol parësor, të paktën deri në vendosjen e një qeverie irakiane.

Bathsheba Crocker, studjuese në Qendrën për Studimet Ndërkombëtare, thotë se administrata e presidentit Bush është i zhgënjyer me Kombet e Bashkuara, që nuk dhanë miratimin e tyre për ndërhyrjen ushtarake kundër Irakut. ”Mendoj se administrata amerikane ndihet me të vërtetë e zemëruar me Kombet e Bashkuara. Kjo, për faktin se Shtetete e Bashkuara kanë rezerva për qëndrimin e mbajtur nga OKB-ja, në prag të luftës. Mendoj se ngurrimi për t’i angazhaur Kombet e Bashkuara tani pas luftës, tregon se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të zemëruara për këtë fakt", thotë zonja Crocker.

Por analistët thonë se interesat reciproke mund t’i riparojnë plagët e shkaktuara në frontin diplomatik dhe politik, të marrëdhënieve midis Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara. Ata theksojnë se Shtetet e Bashkuara dolën nga lufta me Irakun më të fuqishme, por kanë nevojë për legjitimitetin e rolit të tyre në Irak. Kombeve të Bashkuara u mungon fuqia, me përjashtim të asaj që e sigurojnë nga vendet anëtare. Por siç thekson analisti Jonathan Tepperman, kjo përsëri mund ta verë në diskutim legjitimitetin e Shteteve të Bashkuara.

Në të gjithë botën, Washingtoni ndeshet me problemin e legjitimitetit. SHBA përpiqen me çdo mënyrë të shmangin perceptimin që ekziston për to, si një pushtues kolonial i Irakut. Dhe siç kemi parë me protestat e vashdueshme gjatë ditëve të fundit, dhe incidenteve, kur Shteteteve të Bashkuara u është dashur të hapin zjarr ndaj protestuesve irakianë, tashmë prania amerikane në Irak po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Në se Shtetet e Bashkuara do ta ndryshonin këtë imazh, duke përdorur helmetat blu të Kombeve të Bashkuara apo flamurin e OKB-së, kjo do të ndihmonte së tepërmi.

Por, ndërsa nuk duken shenja në horizont për një rol më të madh politik për OKB-në në Irak, analistët thonë se ka disa fusha, si tregu i naftës irakiane, në të cilat Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë të vetme dhe do të kenë nevojë për bashkëpunimin me OKB-në.

//rd//

XS
SM
MD
LG