Lidhje

Ahrens: evropianët dhe amerikanët kanë të njëjtat interesa për Shqipërinë - 2003-05-01


Ish shefi i misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Geert Ahrens, thotë se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powell në Tiranë është diçka që duhet përshëndetur. Ambasadori Ahrens, i cili ka punuar për një kohë të gjatë në shërbimin diplomatik gjerman ndërsa tani ndodhet në Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Woodrow Wilson në Uashington, thotë se evropianët dhe amerikanët kanë në thelb të njëjtat interesa në vende si Shqipëria. Zotin Ahrens e intervistoi kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zoti Ambasador, kohët e fundit Shqipëria është treguar aktive në mbështetje të ndërhyrjes së udhëhequr nga ShBA në Irak. Sekretari amerikan i Shtetit Powell do të vizitojë nesër Tiranën. Si mund të përfitojë Shqipëria nga kjo situatë e re e krijuar për të?

Shqipëria, vazhdimisht që nga rënia e komunizmit ka patur një atmosferë shumë pro-amerikane në vend. Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë sepse ka ndihmuar për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe për ta lidhur Shqipërinë me strukturat euro-atlantike. Unë kam qenë në Shqipëri kur atje ishte për vizitë sekretarja e shtetit Madeleine Albright dhe kjo ishte një ngjarje e madhe për Shqipërinë. Dhe kur sekretari Powell të shkojë atje, kjo përsëri do të jetë një gjë shumë e mirë. Unë e them gjithmonë se evropianët dhe amerikanët kanë në thelb të njëjtat interesa në vende si Shqipëria apo në vende të tjera në rajon, e pikërisht për t’i bërë këto vende të përshtaten në strukturat euro-atlantike, prandaj mendoj se kjo është diçka që duhet përshëndetur.

Zoti Ambasador, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë kthyer gati në një epidemi që po pengon seriozisht zhvillin e shoqërisë. Përmes kanaleve të ndryshme, ShBA dhe Bashkimi Evropian e kanë ngritur këtë problem pranë qeverisë shqiptare. A mendoni se presioni ndaj qeverisë shqiptare ka qenë i mjaftueshëm?

Është shumë e vështirë për të formuluar taktikat e drejta në këtë aspekt. Ka disa vende perëndimore që vazhdimisht lavdërojnë ka edhe të tjerë që mbajnë qendrim shumë kritik. Në disa raste ndodh që nga qeveritë në kryeqytetet e ndryshme vijnë komente kritike ndërsa ambasadori i akredituar në vend, të cilit i pëlqen Shqipëria është më pak kritik. Por mendoj se sidoqoftë, këto probleme duhen zgjidhur para se Shqipëria të mund të pranohet në strukturat euro-atlantike. Kjo nuk është diçka që më takon mua ta rekomandoj apo që unë e di. Kur isha në Shqipëri, kishte filluar puna me Bashkimin Evropian për të përgatitur fillimin e bisedimeve lidhur me paktin e asocim-stabilizimit që Shqipëria kërkon me Bashkimin Evropian. Pra çështja që shtroni ju duhet të zgjidhet dhe Shqipërisë nuk do t’i bëhej mirë nëse kjo nuk do të thuhej qartë. Por natyrisht ajo duhet të thuhet në një mënyrë që respekton dinjitetin e vendit.

Zoti Ambasador, ju keni qenë shef i zyrës së OSBE-së në Shqipëri. Përse ka një zvogëlim të rolit të OSBE-së në Shqipëri? A e shikoni këtë si shenjë që tregon se forcat politike të atjeshme janë pjekur apo si diçka tjetër?

Është e vështirë për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje sepse unë kam tani pasuesin tim në Tiranë dhe nuk dua të ndërhyj në punën që bën ai. Është fare e qartë se misionet e OSBE-së shkojnë në një vend të caktuar me qëllimin për të ndihmuar në zgjidhjen e një krize dhe kur kriza zgjidhet ato duhet të largohen. Personalisht unë jam gjithashtu kundër një pranie të huaj tepër të madhe në disa vende ku mund të mos ketë fare një nevojë të tillë. Në Kosovë, kjo është e nevojshme por duhet të them se kur shkoj në Prishtinë dhe shikoj aq shumë të huaj atje, më duket se ka farë një lodhjeje me praninë e huaj. Në Shqipëri, kjo lodhje ende nuk vihet re. Kudo që kemi shkuar, sidomos nëpër fshatra, njerëzit kanë qenë shumë mikpritës - një nga kujtimet më të bukura që unë kam nga Shqipëria, dhe kjo duhet të mbetet kështu. Nëse një mision i huaj nuk është më i mirëpritur, ai duhet të largohet. Nga ana tjetër, unë do t’u bëja thirrje miqve të mij shqiptarë, përfshirë kryeministrit Fatos Nano, që t’i studiojnë mundësitë që ofron OSBE-ja. Sepse ne kemi qenë shumë të angazhuar në procesin e marrëveshjes për asocim-stabilizimin me Bashkimin Evropian. Ne ishim në gjendje t’i thoshim qeverisë shqiptare se çfarë kërkohej prej saj. Natyrisht Bashkimi Evropian mund ta bëjë këtë vetë, por strukturat evropiane nuk janë krijuar për këtë qëllim. Nga njëra anë janë ambasasat perëndimore dhe nga ana tjetër është përfaqësia e Komisionit Evropian. Mirëpo kjo e fundit nuk ka për detyrë të bëjë deklarata politike. Shtetet e tjera marrin kryesinë e radhës që ndryshon çdo gjashtë muaj. Shpesh ndodh që vendi i cili ka kryesinë e radhës të mos ketë ambasadë në Tiranë. Pikërisht në këtë drejtim OSBE-ja mund të ofrojë diçka.

Zoti Ambasador, me mosmarrëveshjet midis të dy anëve të Atlantikut që kohët e fundit janë shtuar për shkak të luftës në Irak, ShBA duket se mund ta pakësojnë praninë e tyre në Ballkan dhe Bashkimi Evropian të ketë një rol më të madh në ndërmjetësimet e ardhëshme në gadishull. A është në gjendje BE ta marrë përsipër një rol të tillë?

Natyrisht që Evropa është në gjendje. Unë jam evropian dhe nuk mund të presësh që unë të them se Evropa nuk mund ta bëjë dot këtë. Kam shërbyer për shumë dekada në shërbimin diplomatik gjerman dhe e njoh mirë historinë e bashkëpunimit shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se ne duhet të gjejmë rrugën për tu kthyer në një bashkëpunim të tillë. Ndonjëherë kur shikoj se Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane grinden për disa reagime të caktuara të vendeve evropiano-lindore ndaj luftës në Irak, të duken si ata prindërit që zihen në sy të fëmijëve, gjë që ata nuk duhet ta bëjnë. Me këtë nuk dua të them se vendet e Evropës Juglindore janë fëmijë por mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku për të ndihmuar vende si Shqipëria që të hyjnë në strukturat euro-atlantike dhe kam besim se kështu do të ndodhë. Ata kanë një histori të një bashkëpunimi të tillë, siç ka qenë për shembull bashkëpunimi midis meje dhe ambasadorit Xhozef Limprecht, i cili fatkeqësisht vdiq para një viti. Ky ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe ne bëmë shumë gjëra së bashku.

XS
SM
MD
LG