Lidhje

Presidenti Bush deklaroi se operacionet kryesore ushtarake në Irak kanë përfunduar - 2003-05-01


Në luftën e Irakut, thotë Presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre dolën fitimtarë. Ndërkohë që operacionet kryesore luftarake kanë përfunduar, ai foli për sfidat që dalin para.

“Na pret punë e vështirë në Irak. Po vendosim rendin dhe rregullin në pjesë të këtij vendi që vazhdon të mbartë rrezik. Po ndjekim dhe kapim udhëheqës të regjimit të vjetër, të cilët do të mbahen përgjegjës për veprat e tyre”.

Presidenti thotë se forcat amerikane po kërkojnë për armë të shkatërrimit në masë, të cilat përbënin njërën prej arësyeve që ai parashtroi për pushtimin e Irakut. Rënia e Sadam Huseinit i ka bërë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre më të sigurtë, sepse udhëheqësi irakian po i ndihmonte terroristët të shtinin në dorë armë kimike dhe biologjike, tha Presidenti Bush. “Çlirimi i Irakut është një përparim thelbësor në fushatën kundër terrorit. Ne kemi rrëzuar nga pushteti një aleat të al-Kaidës dhe kemi prerë një nga burimet e financimit të terroristëve. Dhe me kaq është e sigurtë se asnjë rrjet terrorist nuk do të përfitojë armë të shkatërrimit në masë nga regjimi irkian, sepse ai regjim nuk ekziston më”. Presidenti u orvat përsëri të bënte lidhje ndërmjet luftës në Irak me luftën në shkallë më të gjerë kundër terrorizmit që ka filluar pas sulmeve kundër Qendrës Botërore të Tregëtisë në New York dhe Pentagonit në Washington.

“Beteja e Irakut është një fitore në luftën kundër terrorizmit e cila filloi më 11 shtator 2001 dhe që vazhdon ende. Atë mëngjes të tmerrshëm, 19 njerëz të ligj, trupa të stërvitura mirë të një ideologjie të mbushur me urrejtje, i dhanë Amerikës dhe botës së qytetëruar një ide të shpejtë se cilat ishin synimet e tyre”. Në atë sulm, tha ia, terroristët i shpallën luftë Shteteve të Bashkuara dhe luftë gjetën. Në Irak, thotë Presidenti Bush, kalimi nga diktatura në demokraci do të marrë kohë, por çdo përpjekje për të, ia vlen. Ai thotë se koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara do të qendrojë atje deri sa misioni të përmbushet dhe ata të jenë në gjendje të lënë pas një Irak të lirë. “Po ndihmojmë për të rindërtuar Irakun, ku diktatori ndërtoi pallate për veten në vend të spitaleve e shkollave. Udhëheqësve të rinj do t’u qendrojmë për krah, tha Presidenti Bush, ndërkohë që ata krijojnë një qeveri nga dhe për popullin e Irakut”.

Mënyra se si ishte formuluar fjalimi i Presidentit Bush në kuvertën e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, nuk linte të kuptohej se ai deklaronte zyrtarisht që lufta ka përfunduar, gjë që sipas Konventës së Gjenevës, do të shtronte para Shteteve të Bashkuara detyrimin për lirimin e robërve të luftës dhe ndaljen e fushatës për gjetjen dhe kapjen e udhëheqësve të veçantë.

Trupat amerikane kanë liruar tashmë disa robër lufte, por ato po i vazhdojnë kërkimet për shumë pjesëtarë të qeverisë së mëparshme, përfshirë Sadam Huseinin.//ic//

XS
SM
MD
LG