Lidhje

Powell: Siria të marrë më shumë masa kundër ekstremistëve - 2003-05-03


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, i dha fund fazës së parë të një nisme të re në Lindjen e Mesme, duke u bërë thirje Sirisë dhe Libanit të mbështesin planin ndërkombëtar për paqe në rajon. Sekretari Powell u tha udhëheqësve sirianë dhe libanezë se duhet të rishikojnë qendrimin e tyre të vjetër në mbështetje të grupeve ekstremiste palestineze anti-izraelite.

Pas bisedimeve që zhvilloi dje me Presidentin e Sirisë, Bashar Assad në Damask, zoti Powell tha se Siria ka filluar të mbyllë zyrat e grupeve anti-izraelite në vend. Por ai e bëri të qartë se Uashingtoni pret që Siria të bëjë më shumë dhe do të ndjekë me kujdes se çfarë marrëdhëniesh do të vendosë Damasku me Shtetet e Bashkuara tani që Saddam Husseini është përmbysur.

Zoti Powell shkoi dje edhe në Beirut, ku u takua me Presidentin libanez, Emile Lahoud dhe Kryeministrin Rafik Hariri. Zoti Powell tha se Uashingtoni do që Libani të jetë i pavarur dhe i lirë nga forcat e huaja, një referencë kjo për mijra trupat siriane të vendosura në Liban dhe guerriljeve Hezbollah të mbështetura nga Siria dhe Irani, që veprojnë kundër Izraelit nga pjesa jugore e Libanit.

Sekretari Powell tha se Uashingtoni do që qeveria libaneze të dërgojë trupa në zonën e kontrolluar nga grupi Hezbollah për t’i dhënë fund kontrollit të tij në atë zonë. Pasi të vërë në dijeni Shtëpinë e Bardhë, Sekretari Powell do të shkojë përsëri në Lindjen e Mesme javën e ardhëshme për bisedime me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë për të vënë në zbatim planin e ri të paqes.//ic//

XS
SM
MD
LG