Lidhje

Në Shqipëri, nga 10 të arratisur, 9 janë kapur dhe një vazhdon të ndiqet - 2003-05-03


Forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga helikopterë dhe forcat speciale të Ministrisë së rendit po vazhdojnë, prej gati 40 orësh, një operacion të gjerë për kapjen e dhjetë të arratisurve të djeshëm nga qelitë e komisariatit të policisë së Peshkopisë, në verilindje të Shqiperisë.

Gjatë ditës së djeshme u bë e mundur të kapen 8 nga 10 të arratisit, ndërsa sot forcat speciale kapën edhe të arratisurin e nëntë, që cilesohet si një nga më të rezikshmit. Burime nga policia vendore bënë të ditur se po punohet edhe për kapjen e të arratisurit të fundit, 35 vjeçarit Vladimir Mata,i cili akuzohet për plagosjen, disa kohë më parë, të një punonjesi të drejtorisë së policisë së Qarkut të Dibrës.

Hetimet paraprake kane nxjerrë në dritë faktin se ka qene një nga policët e shërbimit, që ka lënë të hapur një nga dyert e dhomave të paraburgimit, duke mundësuar arratisjen e të paraburgosurve. Deri tani janë arrestuar tre punonjës policie të komisariatit të Peshkopisë, të cilët ishin me sherbim në kohën e arratisjes së bujshme. Por hetimet vazhdojnë dhe numri i të arrestuarve nga rradhët e policisë mund te jetë më i madh.

Arratisja e djeshme e 10 personave nga dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Peshkopisë ka vënë në alarm jo vetëm policinë në rrethet veriore të Shqiperisë, por edhe stukuturat e policisë së Shtetit dhe të Ministrisë shqiptare të rendit. Kjo për faktin se vetëm një muaj e gjysëm më parë, më 12 mars të ketij viti, u shënua një arratisje tjeter nga dhomat e paraburgimit në komisariatin e policisë së Kukësit, po në verilindje të Shqipërisë. Megjithse operacionet policore vazhdojnë, vetëm njeri nga tre të arratisurit e Kukësit është kapur, ndërsa dy të tjerë dyshohet se janë larguar jashtë kufijve të Shqiperisë.

Ngjarja e djeshme në komisariatin e Peshkopisë, si dhe ajo në komisariatin e Kukësit, ka ringritur shqetesimin për gjendjen tejet të rënduar të krijuar muajt e fundit në pjesën më të madhe të komisariateve të policisë së vendit, për shkak të mbipopullimit të dhomave të paraburgimit. Në kundërshtim me ligjin, në dhomat e paraburgimit të komisariateve vazhdojnë të mbahen edhe të dënuar nga gjykatat me vendim të formës së prerë. Kjo për shkak të mbipopullimit të burgjeve, por edhe të mos përfundimit të burgjeve të reja në Peqin dhe në Lezhë. Ministria e rendit ka njoftuiar se, së shpejti edhe dhomat e paraburgimit do të kalojnë nën administrimin e Ministrisë së drejtësisë, kerkesë kjo edhe e Bashkimit Europian.

//ze//

XS
SM
MD
LG