Lidhje

Koalicioni do të qëndrojë në Irak deri në përmbushjen e plotë të misionit - 2003-05-04


Pak më shumë se një muaj ka kaluar që kur Sadam Huseini sundonte Irakun. Tortura dhe frika karakterizonin sundimin e tij diktatorial. Regjimi irakian kishte lidhur aleanca me terroristë dhe ishte pajisur me armë të shkatërrimit në masë. “Sot,” tha presidenti Bush, “ky regjim nuk ekziston më.”

“Ne kemi ushtruar fuqinë tonë në emër të paqes dhe në emër të lirisë. Ne dhamë fjalën se kërcënimi nga Iraku do të merrte fund. Dhe me mbështetjen e aleatëve si dhe në sajë të trimërisë së forcave tona të armatosura, e kemi mbajtur fjalën,” tha presidenti.

Por misioni nuk ka përfunduar. Presidenti Bush tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tani po punon për të gjetur dhe asgjësuar armët irakiane të shkatërrimit në masë:

“Irakianët që kanë njohuri të drejtpërdrejta për këto programe, përfshirë një numër zyrtarësh të lartë të cilët kohët e fundit janë paraqitur, disa vullnetarisht, ndërsa të tjerët jo, po fillojnë të na informojnë mbi faktet në terren. Kjo është e rëndësishme pasi regjimi i Sadam Huseinit për vite të tëra është angazhuar për të fshehur dhe maskuar armët e tij. Por ne e dimë që ky regjim zotëronte armë të tilla. Nëse këto armë u shkatërruan, u zhvendosën apo u fshehën, ne do ta zbulojmë të vërtetën,” tha presidenti.

Sot Iraku po rimëkëmbet, jo vetëm pas luftës disa javëshe, por pas regjimit totalitar disa dekadash. Sadam Huseini ndërtoi pallate në një vend që kishte nevojë për spitale. Siç ka thënë presidenti Bush, diktatori irakian shpenzoi para për armë të ndaluara, jo për arsimimin e fëmijëve irakianë, apo për të ushqyer popullin e Irakut: “Statujat e tij janë rrëzuar. Por frika dhe dyshimi që rrënjosi në popull do të kërkojnë më shumë kohë për t’u zhdukur,” tha presidenti Bush.

Populli i Irakut ka burimet, talentin dhe dëshirën për të jetuar në paqe dhe liri. Misioni i Shteteve të Bashkuara në Irak, tha presidenti Bush, ka qenë të sjellë ndihma humanitare dhe të rivendosë shërbimet bazë si dhe ta kthejë Irakun në rrugën e vetqeverisjes. Ne do të qëndrojmë aq sa është e nevojshme për të përmbushur misionin tonë.” //ad//

XS
SM
MD
LG